Reagon Murati, u kërkon ndjesë luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre

Ministri i Financave, Punës dhe Transfreve, Hekuran Murati, ka reaguar për deklarimet e tij për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Murati ka thënë se i përulet sakrificës së secilit dëshmor e kontributit të secilit ushtar të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ky është qëndrimi im. Shkrimet e para disa viteve kanë qenë nga mllefi me ata që asokohe me fryrjen e listave për përfitime financiare e politike po shtrembëronin historinë e luftës dhe të vërtetën tonë kolektive. Ju siguroj se ato shkrime nuk kanë pasur synim ofendimin ndaj ushtarëve dhe dëshmorëve”, ka thënë Murati, duke shtuar se e pranon që gjuha e përdorur atëherë ka qenë e gabuar, prandaj u ka kërkuar ndjesë të gjithë luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre.
Ministri i Financave ka disa ditë që po kritikohet për një deklaratë të tij të vitit 2016 për veteranët, ku kishte thënë se Kosovës po i kushtojnë më shumë veteranët se sa do i kishin kushtuar disa mercenarë. Ai, derisa kishte kalkuluar shifrat e pensioneve për veteranët e luftës, kishte shkruar se “këta tre muaj lufte të një ushtrie guerile donë me na dalë shumë më shtrenjtë se një ushtri e rregullt”
Deklarimet e Muratit kanë nxitur reagime të shumta, sidomos nga opozita, të cilët kanë kërkuar nga kryeministri Albin Kurti shkarkimin e ministrit.
Po ashtu, Partia Socialdemokrate e Kosovës ka thirrur protestë më 6 korrik kundër ministrit./21Media

Back to top button