"Ky është turpi!"

“Ky është turpi!”

Rrahja për herë të dytë e një gruaje rome, së fundmi në Ferizaj ka ngjallur reagime të shumta. Politikanë, shoqëria civile dhe artistë e kanë dënuar aktin, shkruan rtv21.tv

Edhe këngëtarja e mirënjohur, Rona Nishliu ka reaguar përmes një shkrimi në rrjetin social Instagram për gruan që ishe e pre e dhunës.

“Ky është turpi! Për ty e dashun grua, më vjen shumë keq që ishe pre e dhunës, agresivitetit dhe rrenës. Më beso, po më dhemb çdo pjesë e trupit ku të goditën ty e shpirti po më lëngon edhe ma fort. A thu nuk ka siguri ma me hec ne rrugët tona se del ndoj medium thjesht për biznes dhe merr në qaf njerëz të pafajshëm? Kaq të këqijë jemi bë veç 20 vjet pas maltretimeve të kobshme që kemi përjetu?  E ti o djali mendjelehtë, negativ deri në palcë e dhunues, pash zotin si po ndihesh??? Nuk e di a je i ri a fëmijë, por burrë s’ke me u ba kurrë. TURP PËR TY E TURP PËR NE”, ka shkruar Rona në Instagram.

Një person i moshës 17-vjeçare është arrestuar disa orë pasi në media u publikua një fotografi e sulmit ndaj një gruaje rome në sheshin e Ferizajt.

Lajmin për rtv21.tv e ka konfirmuar majori i Policisë Rajonale të Ferizajt, Mehmetali Hajdini. “Është arrestuar i njëjti dhe do të dërgohet në mbajtje në bazë të Aktvendimit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj” , ka thënë Hajdini.

Ky është sulmi i dytë ndaj gruas, pasi u denoncua në rrjetet sociale gabimisht se ajo po vidhte fëmijët./21Media