Reçica ka vizituar banorët e Shtëpisë së të Moshuarve

Reçica ka vizituar banorët e Shtëpisë së të Moshuarve

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, në prag të ndërrimit të viteve ka vizituar banorët e Shtëpisë së të Moshuarve në Prishtinë, për të cilët ka ndarë dhurata.

Ai është zotuar se në kuadër të përgjegjësive të tij do të bëjë më të mirën e mundshme që këta banorë të kenë kushte më të mira për jetesë.

“E kam shprehur zotimin tim edhe më herët që në kuadër të përgjegjësive që i kam, kam për t’i përdorur të gjitha kompetencat që ky institucion që ofron përkujdesje 24 orë për këta banorë të kenë kushte më të mira. Do të përpiqemi që t’i marrim të gjitha masat t’i ndërmarrin në funksion të ngritjes së kualitetit të jetës së banorëve”, tha ai.

Ndërsa, drejtoresha e Shtëpisë për të Moshuar, Raza Aliçkaj, tha se është e kënaqur që kjo kategori po mbështetet, pasi sipas saj kjo mbështetje është e nevojshme për këtë kategori.

“Neve na vjen mirë që kjo kategori po mbështetet në mënyrë institucionale nga institucionet tona dhe nga qeveria e Republikës së Kosovës, mendojmë që edhe në të ardhmen të kemi një bashkëpunim të mirëfilltë dhe të ndërsjellët si deri më tani, në mënyrë që ti ngrisim cilësinë e shërbimeve në institucionin tonë dhe ti avancojmë kushtet që standardet në këtë institucion të jenë sa më të larta. Se kjo kategori ka nevojë për mbështetje”, tha ajo.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica gjatë ditës ka vizituar edhe banorët e Institutit Special në Shtime.