Koçani do të jetë i obliguar që të paraqitet për ta vuajtur dënimin

Koçani do të jetë i obliguar që të paraqitet për ta vuajtur dënimin

Gjykatësi për zbatim të sanksioneve pranë Gjykatës Penale në Shkup e ka refuzuar kërkesën e afaristit Sead Koçani, që për arsye shëndetësori t’i shtyhet dënimi me burg prej 4 vjetëve e 8 muaj për rastin e PPS-së “Trust”.

Vendimi tashmë u është dorëzuar palëve të përfshira në procedurë të cilat kanë të drejtë ankese në Këshillin Penal, kurse pas hyrjes së vendimit në fuqi, Koçani do të jetë i obliguar që të paraqitet për ta vuajtur dënimin e tij.

Sead Koçan më 17 korrik duhej të paraqitej në burg për ta vuajtur dënimin, pasi Këshilli Penal e konfirmoi vendimin e gjykatësit të Gjykatës Penale për ta refuzuar kërkesën e tij për shtyrje të dënimit.

Në ndërkohë, ai parashtroi kërkesë të re për shtyrje, e cila, gjithashtu u refuzua.

Afaristi është i dënuar për shkak të manipulimeve për marrjen e tenderit nga ELEM prej 17 milionë eurove, duke treguar dokumentacion të rrejshëm.

Koçani, është i vetmi nga kjo lëndë i cili duhet të vuajë dënim me burg. Ai fillimisht ka marrë gjashtë vjet, por Gjykata e Apelit ia ka ulur në 4 vjet e 8 muaj./TV21