Sipas rektorëve Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka qenë i ndikuar nga politika

Sipas rektorëve Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka qenë i ndikuar nga politika

Rektorët e universiteteve publike janë shprehur të shqetësuar, për largimin e Agjencisë Kosovare për Akreditim nga ENQA, por thonë se nuk janë befasuar nga ky vendim.“Përjashtimi i AKA-së nga ENQA është goditje për të gjithë arsimin e lartë, sidomos për studentët dëmi është shumë i madh. Përjashtimi i AKA-së është pasojë e politikave të gabuara në arsim”, thuhet në komunikatën e tyre.

Sipas rektorëve Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka qenë i ndikuar nga politika.“Vendimi i ENQA-s është si pasojë e degradimit të AKA-së dhe dështimit të potencialit profesional në AKA, pasojë e tendencës për ta shndërruar arsimin e lartë biznes dhe në vegël politik. Konsiderojmë se ENQA i ka dhënë kohë të mjaftuar KSHC-së që të stabilizohet por KSHC-ja ka dështuar në këtë aspekt”, thuhet në njoftim.

Rektorët kanë vlerësuar se mungesa e komisionit të ankesave pranë KSHC-së është njëra prej arsyeve që ka ndikuar në vendimin e ENQA-së.“IPAL-i nuk ka pasur mundësi që ankesat e tyre për mosakreditim të programeve të caktuara t’i adresojë pranë komisionit të ankesave, meqë ky komision nuk ishte funksional, pas dorëheqjes kolektive të anëtarëve të komisionit”, thuhet tutje në komunikatë.

Rektorët janë shprehur e shqetësuar me veprimet e KSHC-së dhe Ministrisë së Arsimit dhe ka reaguar me kohë kundër politizimit të AKA-së dhe ka reaguar kundër dobësimit të AKA-së dhe vendimeve siç i kanë quajtur ata arbitrare. “AKA-ja nuk ka luajtur rol bashkëpunues dhe konstruktiv me IPAL-in, ajo është sjellë me universitetet publike si gardian burgu, mirëpo edhe përkundër kundërshtive, universitet e kanë përkrahur AKA-në dhe Raportin e Vetëvlerësimit të AKA-së për ENQA-në”, thuhet në vazhdim.

Ata kanë kërkuar përgjegjësi dhe reflektim nga institucionet relevante në lidhje me këtë çështje.“Konferenca e Rektorëve paralajmëron se menjëherë pas zgjedhjeve të nivelit qendror, do ta mbajë edhe një mbledhje, për ta kërkuar nga qeveria e ardhshme seriozitet dhe përkrahje të arsimit, e jo ndikim dhe ndërhyrje në IPAL”, thuhet në përfundim.

Problemet në fushën e përfaqësimit ndërkombëtar të AKA-së nisën në vitin 2017 me vendimne e kryeministrit Ramush Haradinaj në vitin 2017 për të shkarkuar Këshillin Shtetëror të Cilësë. Fillimisht, AKA u përjashtua nga Regjistri Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) ndërsa iu degradua anëtarësimi në ENQA nga anëtare me të drejta të plota në anëtare nën shqyrtim.

Lidhur me largimin e AKA-së nga ENQA ka reaguar edhe Zyra e BE-së në Kosovë. “Me keqardhje kemi kuptuar që Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) ka dështuar në përpjekjet për të rinperterire anëtarësimin në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA)”, thuhet në një reagim për media.

Derisa Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë kishte thënë se nuk kanë njoftim zyrtar në lidhje me këtë cështje, derisa ENQA e ka bërë publikimin e këtij vendimi në faqen e saj.

Kurse, Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka thënë se përjashtimi i AKA-së ka qenë i pritshëm, pasi sipas tyre këto probleme i kanë evidentuar edhe gjatë punës së tyre.

Në mbledhjen e ENQA-s më 19 shtator u morr vendimi që Agjencia Kosovare e Akreditimit nuk do të vazhdojë të jetë më pjesë e Asociacionit Europian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë. /21Media