“Rektorët në grevë për interesa personale”

Sipas Demokracisë studentore, programet që janë hapur në universitete nuk i kanë plotësuar kriteret

Demokracia Studentore grevën e rektoreve të universiteteve publike e quajti të pabazë dhe ndërhyrje në punën profesionale të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, pasi sipas tyre, programet të cilat janë hapur në këto universitete nuk i kanë plotësuar kriteret dhe kanë qenë në kundërshtim me ligjin e arsimit të lartë.

Sipas kësaj organizate, programet të cilat nuk janë akredituar, rektorëve ju kanë shërbyer vetëm për t’i punësuar njerëzit e tyre dhe janë dëm të studentëve.

“BNe të gjithë e dimë që shumica e rektorëve të universiteteve të hapura pasluftës janë emëruar nga politika e theksojmë se rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj është edhe anëtar i kryesisë së PDK-së në Skenderaj dhe njëkohësisht edhe rektorë në ketë Universitet”, deklaroi Mexhid Ramusa nga Demokracia Studentore.

Demokracia Studentore përmes një deklarate i bëri thirje Agjencisë së Akreditimit të Kosovës të qëndrojë karshi vendimeve profesionale.

“Ne si organizatë studentore i bëjmë thirrje Agjencisë së Akreditimit të Kosovës të qëndrojë karshi vendimeve profesionale që i ka marrur për mos akreditimin e këtyre programeve pasi që ky vendim kontribuon në cilësinë e arsimit në Kosovë dhe është në dobi të studenteve dhe vendit”, u theksua në apelin e kësaj organizate.

Ndërsa, rektorët e universiteteve publike pas mbledhjes së mbrëmshme kanë njoftuar se prej sot gjitha universitetet publike do të fillojnë grevë të përgjithshme dhe protesta do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Zëvendës-kryesuesi i kësaj konference, Fadil Millaku ka thënë se ky vendim ka ardhur për shkak të veprimeve të fundit të Agjencisë Kosovare për Akredim për mbylljen e programeve.

Rektorët e universiteteve publike më 24 janar i janë drejtuar deputetëve të Komisionit për Arsim, ku kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mbylljen e 40% të programeve në këto universitete. Ata kanë deklaruar se vendimin në fjalë e konsiderojnë jo-ligjor. Andaj, kanë kërkuar që deri më 28 janar të shkarkohet Këshilli, në të kundërtën do të vazhdojnë me greva dhe protesta.

Back to top button