Remi kthehet nesër në Kosovë

Rrustem Mustafa mbrëmë përfundoi intervistimin

Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa- Remi nesër do të kthehet në Kosovë, pas intervistimit nga Gjykata Speciale në Hagë.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar vetë Rrustem Mustafa, shkruan rtv21.tv

Mustafa mbrëmë përfundoi intervistimin, i cili zgjati rreth nëntë orë. Remi dy ditë është marrë në pyetje në Gjykatën Speciale në Hagë.

“Unë kam një fjalë vetëm të shkurtë. Ju e dini se kam marrë shumë pyetje të gazetarëve. Sot përfundoj intervista me mua pranë dhomave të specializuar në Hagë, unë isha i ftuar si dëshmitar i dyshuar. Ju e dini se intervista ishte shumë e gjatë dhe sot përfundoj, pyetjet e ngritura nga ta ishin shumë serioze edhe ne kemi qenë shumë serioz”, këto ishin fjalët e para të ish komandantit të zonës operative të Llapit, Rrustem Mustafa, pas përfundimit të intervistimit në zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Ndërkohë sot, në Hagë po intervistohet edhe ish-komandanti i zonës operative të Drenicës, Sami Lushtaku.

Gjithsej, njëmbëdhjetë ish-luftëtarë të UÇK-së, janë ftuar për intervistë nga Prokuroria e Specializuar.

Formimi i Gjykatës Speciale ka pasuar një raport të Këshillit të Evropës në vitin 2011, i cili ka konstatuar se ka prova të mjaftueshme për të nisur hetime kundër disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së, që dyshohet se kanë kryer krime kundër serbëve dhe disa shqiptarëve, gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Gjykata Speciale do t’i trajtojë krimet e supozuara që përfshijnë periudhën janar 1998 – dhjetor 2000. /21Media

Back to top button