Remi niset për Hagë, thotë se po i përgjigjet drejtësisë

Ai tha se është ftuar në cilësinë e deshmitarit

Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa (Remi), ka arritur në Aeroportin e Prishtinës për të udhëtuar për në Hagë, ku nesër do të intervistohet nga prokurori special.

Ai i ka thënë mediave se është i pafajshëm, por megjithatë po i përgjigjet drejtësisë.

“Po i përgjigjem ftesës së Gjykatës Speciale. Avokati është vendor. Janë ftesa normale. Po shkoj atje për pretendimet e Dick Martit. Po shkoj në cilësinë e dëshmitarit të dyshuar… Ftesat janë normale pas gjithë propagandës dhe raportit të Martit, që duhet të mbyllet ky pretendim i hapur “, tha Mustafa.

Kujtojmë se Mustafa do të intervistohet nesër, më 14 janar. Ndërsa, Sami Lushtaku më 16 janar.

Ligji për Gjykatën Speciale është miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015.

Gjykata do të veprojë në Hagë, me prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtarë, por me ligjet e Kosovës.

Krijimi i saj ka pasuar publikimin e një raporti nga Këshilli i Evropës në vitin 2011, në të cilin thuhet se ka prova të mjaftueshme për të hetuar krimet që supozohet se i kanë kryer ish-pjesëtarë të UÇK-së kundër serbëve dhe disa shqiptarëve të dyshuar për bashkëpunim me regjimin e Beogradit, gjatë dhe para luftës. Hetimet do të përqendrohen në krimet e supozuara nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000./21Media

Back to top button