Larja e duarve parandalon infeksione të ndryshme

Larja e duarve parandalon infeksione të ndryshme

Sipas kulturave të ndryshme higjiena nënkupton larjen e trupit, larjen e flokëve, prerja ose mbajtja e flokëve të shkurtër, larja e dhëmbëve, veshja me rroba të pastra, prerja dhe mirëmbajtja e thonjve, mbulimi i gojës kur kolliteni apo teshtini.

Kultura më e rëndësishme e higjienës është larja e duarve, sidomos para se të ushqehemi.

Duart duhet të lahen mirë me ujë të pastër dhe sapun të lëngshëm, sepse ato mund të transmetojnë shumë sëmundje. Duart ndoten lehtë kur prekim objekte të ndryshme.

Larja e duarve me sapun të lëngshëm parandalon rreth 50% rrezikun për prekjen me sëmundjen e diarresë. Sëmundje kjo që në vit merr jetën e miliona fëmijëve në botë. Larja e duarve parandalon edhe infeksionet respiratore akute, infeksione këto që shfaqen me tepër tek fëmijët nën moshën pesë vjeç.

Ekspertët e shëndetësisë këshillojnë që të përdoren sapunët e lëngshëm që gjenden në enë plastike, sepse ndryshe nga sapunët klasik që shumë nga ne i kemi në shtëpi, sapuni i lëngshëm nuk ka kontakt me ambientin rrethues.
Para se të aplikon sapunin duart duhet të lahen me ujë të pastër, pastaj të aplikohet sapuni më shumë se 20 sekonda.

Është shumë e rëndësishme që të fërkoni edhe majat e gishtave sidomos në pjesën e thonjve, sepse papastërtitë që grumbullohen nën ta po ashtu transmetojnë sëmundje të ndryshme. Pas aplikimit të sapunit, duart duhet të lahen me ujë të nxehtë, që të largohet shtresa e sapunit me lehtë.

Edhe terja e duarve është e rëndësishme, kështu që duhet të kemi kujdes që peshqirët apo letrat të jenë të pastra.  Nëse doni higjienë më të lartë, pas larjes së duarve përdorni xhel dezinfektues. Mos harroni duart nuk duhet të lahen vetëm atëherë kur duken të papastra, por duhet të fitoni një shprehi që ato të lahen rregullisht. /21Media