Rënia e bitcoin-it e rrezikshme apo jo?

Sadiku tha se rëniet e vlerës së kriptovalutave duhet parë varësisht nga periudhat se kur ndodhin

Valutat virtuale apo ndryshe kriptovalutat kanë rënë gati në nivelet më të ulëta të tyre që nga nëntori i vitit të kaluar. Ndërsa, pavarësisht se janari dhe shkurti i këtij viti e gjeti tregun e kriptovalutave me rënie të vlerës së tyre, njohësit e kësaj fushe thonë se një e gjë e tillë nuk paraqet ndonjë rrezik.

Madje, inxhinieri Ermal Sadiku ka bërë të ditur për KP se rëniet veç kanë qenë të pritura. Teksa ka theksuar se në lëvizjen e çmimeve të kriptovalutave ndikojnë shumë faktorë, e ndër ta më së shumti spekulimet.

Megjithatë, ai theksoi se rënia e vlerës së kriptovalutave është e rrezikshme për ata që kanë investuar dhe kanë blerë kriptovaluta me çmime të larta, teksa thotë se nuk paraqet rrezik për ata që kanë blerë kriptovaluta në kohën kur kanë qenë më lirë.

Sipas ingjinierit Sadiku, rëniet e vlerës së kriptovalutave duhet parë varësisht nga periudhat se kur ndodhin.

Edhe  Granit Kadolli, njohës i kësaj fushe, ka shpjeguar  se sistemi i kriptovalutave nuk mund të bie asnjëherë në zero. E për këtë ai tha se edhe bankat në Amerikë kanë bërë hapat e parë për të mos i lënë njerëzit të tërheqin paratë e tyre vetëm për shkak të spekulimeve.

Madje, Kadolli thotë se edhe nëse gjithçka shkatërrohet, sistemi i kriptovalutave nuk ka për të rënë asnjëherë për shkak se siç ka thënë ai, në botë janë 15-16 mijë pika të cilat e mbrojnë bitcoin-in si valutë.

Ndryshe, rënie të bitcoin-it si kriptovalutë ka pasur pothuajse gjatë gjithë pjesës së parë të vitit të kaluar, teksa rritje më të dukshme prej 2 mijë e 725 dollarë amerikan ka shënuar më 25 maj 2017-të. E kulminacioni i vlerës së tij për vitin e kaluar del të jetë më 27 dhjetor, prej 19 mijë e 211 dollarësh amerikan.

Në 2018-ën bitcoin e ka nisur me rënie, ku rënie drastike pati më 6 shkurt të këtij viti, vlera e tij ra në 6 mijë e 522 dollarë.

Back to top button