Reshitaj ka thënë se njeriu e kupton sa i pafuqishëm është kur ndeshet me ligjet e natyrës

Reshitaj ka thënë se njeriu e kupton sa i pafuqishëm është kur ndeshet me ligjet e natyrës

“Ndryshimet klimatike” ishte tema me të cilën ka filluar dita e fundit e Javës për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovë. Një dokumentar i shkurtër me pamje nga e gjithë bota për të shfaqur ndryshimet globale e ka nisur këtë ngjarje.

Me këtë rast, Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj ka thënë se njeriu e kupton sa i pafuqishëm është kur ndeshet me ligjet e natyrës, duke shtuar se shpreson që kjo javë të bëhet traditë në Kosovë. Reshitaj po ashtu ka shprehur shqetësim lidhur me mungesën e fondeve të kësaj fushe për Kosovën.

Për të shfaqur mbështetjen e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, e pranishme në këtë ngjarje ishte Annette Fath Lihic, Shefe e Kabinetit të Përfaqësueses së Posaçme.

Ajo ka thënë se ndryshimet klimatike nuk njohin kufij administrativ, duke shfaqur besim se situata mund të kthehet në favor të njeriut.

Gjatë kësaj jave për çdo ditë ka pasur konferenca me tema të ndryshme që lidhen me mjedisin, duke përfunduar sot në ditën ndërkombëtare të mjedisit, e cila organizohet bashkë me OJQ-të vendore në këtë fushë.

Kjo ngjarje ka trajtuar sfidat kryesore të mjedisit në vend siç janë energjia, mbeturinat e ngurta, uji, si dhe ndryshimet klimatike.