Haradinaj bëri homazhe te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti

Haradinaj bëri homazhe te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj sot bëri homazhe dhe vendosi kurora me lule te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti, në ditëlindjen e 57- të tij.

I shoqëruar nga familjarë dhe bashkëluftëtarë të Heroit Zahir Pajaziti, kryeministri në detyrë Haradinaj, siç bëhet e ditur në komunikatë, theksoi se Zahiri dhe bashkëluftëtarët e tij janë shembuj të atdhedashurisë dhe vetëmohimit, në kërkim të lirisë dhe të drejtës së shqiptarëve.

“Në ditëlindjen e Heroit të kombit Zahir Pajaziti, bëmë nderim simbolik me familjarë dhe kolegë në shenjë nderimi dhe respekti për kontributin për liri”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, duke shtuar se respekti ndaj veprës së luftëtarit të çmuar shqiptar, komandantit tonë, Zahir Pajaziti mbetet i pavdekshëm.

Sot është ditëlindja e komandantit të UÇK-së dhe Heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti. Ai është lindur më 1 nëntor të vitit 1962 në fshatin Turuqicë të Podujevës, ndërsa ka rënë dëshmor më 31 janar të vitit 1997 në Pestovë të Vushtrrisë. Ai ka qenë një ndër themeluesit e UÇK-së dhe Hero – dëshmor i luftës së Kosovës. Ai ka rënë heroikisht së bashku me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën, në një pritë të organizuar nga forcat e armikut. Zahir Pajaziti ka qenë një ndër komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare Kosovës.

Më 31 janar 2008, në 11 vjetorin e rënies, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka dekoruar Zahir Pajazitin me dekoratën më të lartë shtetërore të Kosovës Urdhrin “Hero i Kosovës”./21Media