“Rezervimi.com” platformë online për akomodim dhe turizëm

“Rezervimi.com” u vlerësua edhe si promovues i turizmit të Kosovës

Sot është lansuar platforma më e avancuar në vend për rezervime online, Rezervimi.com, projekt ky i zhvilluar nga kompania PR Solutions, i cili është përkrahur nga programi PPSE, organizata zvicerane Swisscontact.

Rezervimi. com, është platformë e cila ofron rezervime online të hoteleve, moteleve dhe bujtinave. Kjo faqe synon të digjitalizojë rezervimet në Kosovë, duke e bërë kështu vizitën në Kosovë shumë më të lehtë, kështu u tha në eventin e organizuar për lansimin e kësaj platforme.

Venera Ismaili, menaxhere e projektit, tha se kjo platformë përveç akomodimit është edhe promovues i turizmit të Kosovës.
Sipas saj, deri më tani ka pasur mungesë të informacioneve për shërbime të hoteleve, ndërsa me këtë platformë ofrohet mundësia për rezervime online.
“Kjo platformë përveç rezervimeve të akomodimeve të klientëve, do të ketë përsipër dhe ofron informata të turizmit vendor. PR Solutions edhe më herët ka qenë e involvuar dhe ka kontribuar dukshëm në promovimin e turizmit vendor dhe atë në bashkëpunim me Swiscontact. Duke qenë pjesë e këtij aktiviteti është vërejtur një mungesë e madhe e informatave rreth hotelerisë dhe vendeve për t’u vizituar në Kosovë, prandaj, këto informata munden të gjinden nëpër uebsajte të ndryshme, por gjithmonë janë të pjesërishme dhe asnjë herë ose pakë herë mund të gjinden në të gjithë gjuhët, andaj, ‘rezervimi’ do ta plotësoj këtë hendek”, theksoi Ismaili.

Argjentina Grazhdani, menaxhere e projektit të PPSE dhe drejtoreshë e Swisscontact për Kosovë, tha se ky projekt është mjaft me rëndësi, sepse edhe në bazë të statistikave të Agjencisë së Statistikave është në rritje numri i turistëve në përqindje të madhe. Ajo tha se ky produkt është tepër me rëndësi për sektorin e turizmit.

Ndërsa, Ekrem Tahiri nga PR Solutions, duke prezantuar platformën, tha se platforma është në tri gjuhë dhe se rezervimi online është i dedikuar për hotele, motele dhe bujtina në Kosovë, dhe ofrohen shërbime ose destinacione turistike në Kosovë e më vonë edhe për rajon.
Ai tha se turizmi në Kosovë ka potencial të madh, sepse posedon bukuri dhe monumente kulturore.

Ekrem Tahiri shtoi se hapi tjetër është shtrirja e aktivitetit në rajonin e Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, dhe Turqisë si dhe diasporës shqiptare në Evropë dhe ShBA.

Back to top button