"Shpresojmë që këto institucionet e reja pas konstituimit ta kenë prioritet arsimin në Kosovë"

“Shpresojmë që këto institucionet e reja pas konstituimit ta kenë prioritet arsimin në Kosovë”

Organizata jo qeveritare ETEA përmes një aksioni simbolik para objektit të Qeverisë së Kosovë ka shprehur pakënaqësi për rezultatet e dobëta që Kosova ka treguar në testin ndërkombëtar PISA.

Aktivistët e kësaj organizate në një karrocë të mbushur me beton në të cilën kanë vendosur libra, lapsa e fletore,  kanë dashur të tregojnë se institucionet po investojnë vetëm në infrastrukturë rrugore e jo në sistemin arsimor.

Drejtori ekzekutiv i ETEA, Agon Ahmeti tha se rezultatet e dobëta nga testi ndërkombëtar PISA po rrjedhin pasi qeveritë që nga paslufta po investojnë në autostrada duke ndarë 260 milionë euro për Ministrinë e Infrastrukturës, ndërsa për atë të Arsimit vetëm 50 milionë në vit.

“Përmes këtij aksioni simbolik kemi dashur të përçojmë mesazhin që Qeveria e Kosovës që nga paslufta, e sidomos pas vitit 2015, kur janë pasqyruar rezultatet e dobëta për herë të parë në testin PISA, kemi ardhur në përfundim se duhet të bëjmë këtë aksion simbolik, në mënyrë që të përçojmë një mesazh të investimeve drastike që bëhen në infrastrukturë dhe autostrada, pra kemi diku rreth 260 milionë euro që i jepen Ministrisë së Infrastrukturës, ndërsa rreth 50 milionë euro është buxheti vjetor i Ministrisë së Arsimit pothuajse çdo vit”, tha ai.

Sipas tij Kosova qëndron edhe më keq në këto rezultatet e vitit 2018 nga PISA, pasi që këtë vit pjesëmarrës kanë qenë 79 vende, ndërsa në vitin 2015 ishin 72 shtete pjesëmarrëse.

Ahmeti ka kërkuar nga qeveria e ardhshme e Kosovës që ta ketë prioritet arsimin, madje sipas tij e rrugës do ishte të shpallej gjendje emergjente.

“Jemi në pritje të qeverisë së re e shpresojmë që këto institucionet e reja pas konstituimit ta kenë prioritet arsimin në Kosovë edhe pse jo edhe të shpallet një lloj gjendje emergjente në sistemin arsimor që të ketë edhe buxhet më të lartë, por edhe të trajtohet edhe me seriozitet më të lartë pasi që arsimit është fusha që ka efikas dhe dominon në të gjitha fusha shtetërore”, tha Ahmeti.

Në bazë të rezultateve të publikuara dje, Kosova është renditur në vendin e tretë nga fundi në rezultatet e testimit ndërkombëtar PISA 2018. Në këtë testim ku kanë marrë pjesë 79 shtete, Kosova ka lënë mbrapa vetëm Republikën Dominikane dhe Filipinet.

Në testin PISA 2018 kanë marrë pjesë 5058 nxënës nga 211 shkolla. Sipas rezultateve që maten me indeksin e mesatares së OECD, nxënësit kosovarë kanë arritur 353 pikë në lexim, 366 në matematikë dhe 365 në shkencë.

Kujtojmë se edhe në vitin 2015 vendi kishte shënuar rezultate të dobëta në testin PISA 2015.