Voda: Çdo përpjekje për kërkim azili është e kotë

Voda: Çdo përpjekje për kërkim azili është e kotë

Mesditën e kësaj të mërkure janë riatdhesuar 50 shtetas shqiptarë me avion të posaçëm, të nisur nga aeroporti i Metz të Francës.

Operacioni është kryer në bashkëpunim me policinë franceze dhe atë shqiptare. Të gjithë të riatdhesuarit janë azilkërkues në Francë, të cilëve iu është refuzuar kërkesa për qëndrim.

Në fjalën e saj zv/ministrja e Brendshme  e Shqipërisë, Rovena Voda, ka theksuar se çdo përpjekje për kërkim azili është e kotë, sepse Shqipëria është në listën e vendeve të sigurta, ndaj ajo ka bërë thirrje për të mos ndërmarrë asnjë hap në këtë drejtim, por të kërkojnë rrugë ligjore për t’u punësuar në vendet e BE-së

Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit, Eduart Merkaj, ka theksuar se gjatë këtij 5 mujori, fluturimet e riatdhesimit janë rritur jo vetëm me Francën, por edhe me shumë vende të tjera të BE-së, duke forcuar më tej bashkëpunimin, në drejtim të shkëmbimit të informacionit më të detajuar dhe në kohë reale.