Rikalo nënshkruan marrëveshje për përmirësimin racor të gjedheve

Lajmërohet Rikalo

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me shoqatën për përmirësimin racor të gjedheve “Gen Vet” me qëllim të rritjes së potencialeve të kësaj shoqate.

Ai ka thënë se përmes kësaj marrëveshjeje, Ministria e Bujqësisë do t’ia ofrojë në shfrytëzim kësaj shoqate asetet e nevojshme për të zhvilluar aktivitetet. “Sot nënshkruam marrëveshjen e bashkëpunimit në mes të Ministrisë së Bujqësisë dhe shoqatës ‘Gen Vet’, për një çështje shumë me rëndësi për arritjen dhe zgjerimin e potencialeve të shoqatës ‘Gen Vet’”, ka thënë Rikalo.

Rikalo ka njoftuar se ky projekt do të zgjasë dy vjet dhe njëherësh është zotuar se përkrahja në të ardhmen nga ana e ministrisë nuk do të mungojë. “Ky projekt është nënshkruar për dy vjet dhe do ta ketë mbështetjen e gjithanshme të ministrisë në çdo aspekt. Shoqata dhe ministria e kanë një bashkëpunim shumë të mirë, përmes së cilit është kyçur edhe me Universitetin e Ohajos dhe ne do të mundohemi që në të ardhmen të kemi një bashkëpunim sa më të mirë që kjo marrëveshje të përmbushet në çdo aspekt”, ka thënë Rikalo.

Pavarësisht insistimit të gazetarëve, Rikalo nuk ka pranuar asnjë pyetje jashtë temës së kësaj marrëveshjeje.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo qe disa muaj nuk ishte parë në media dhe në aktivitetet e ministrisë.

Shkarkimi i Rikallos ishte edhe kusht i vënë nga PSD për të votuar buxhetin e vitit 2019-të./21Media

Back to top button