Rikalo: Do t’i japim impuls të ri zhvillimit të bujqësisë

Ministri potencoi se do të japë mbështetjen e tij për të realizuar programet mbështetëse për fermerët

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo është zotuar se gjatë mandatit të tij do t’i japin një impuls të ri zhvillimit të bujqësisë, për të arritur rezultate më të mira në njërin nga sektorët më të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik.

Ai këto komente i bëri sot gjatë një takimi njoftues me sekretarin e Përgjithshëm të ministrisë, Kapllan Halimi, kryeshefin e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, Elhami Hajdari dhe atë të Agjencisë Pyjore të Kosovës, Ahmet Zejnullahu, si dhe me drejtorët e departamenteve të ministrisë.

Gjatë këtij takimi, ministri Rikalo ka prezantuar para bashkëpunëtorëve të tij të shërbimit civil iniciativën e tij për bashkëpunim, duke pasur në fokus zhvillimin e bujqësisë dhe fermerin si përfitues kryesor.

Me këtë rast, ministri Rikalo ka potencuar se do të japë mbështetjen e tij për të realizuar programet mbështetëse për fermerët, si atë të pagesave direkte ashtu edhe atë të granteve investive, në përputhje me dokumentet strategjike./21Media

Back to top button