“Rinia e Kosovës po vyshket”

Në këtë aktivistet ishin grupe të ndryshme të shoqërisë kosovare

Institucioni i Avokatit të Popullit, në bashkëpunim me organizata joqeveritare, kanë organizuar aktivitetin “Çohu për të drejtat e njeriut” për të shënuar 10 dhjetorin, Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

Aktiviteti “Çohu për të Drejtat e Njeriut”, ka për qëllim dërgimin e një mesazhi të fuqishëm për angazhimin e shtuar, gjithëpërfshirës dhe ndërinstitucional për promovimin dhe edukimin mbi të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Të përfshirë në këtë aktivistet ishin grupe të ndryshme të shoqërisë kosovare ku u fol për të drejtat e fëmijëve, personave me Down Syndrom, të moshuarve, nga komuniteti LGBT-it dhe komunitet tjera në Kosovë i RAE, serbë etj.

Avokati i Popullit Hilmi Jashari me këtë rast u shpreh se të drejta e njeriut nuk janë pronë e askujt, por janë të drejtat të qytetarëve të Kosovës, andaj mënyra më e mirë për të shënuar këtë ditë është të jenë të bashkuar të gjitha kategoritë e shoqërisë.

“Këtë ditë të jemi të gjithë të bashkuar sa i përket shënimit të kësaj dite universale për të drejtat e njeriut. Fuqia e deklaratës universale për të drejtat e njeriut qëndron mu në faktin e idesë që sjell në vetvete deklarata universale dhe në 70-vjetorin e kësaj deklarate meqë është moment jashtëzakonisht i përshtatshëm për të gjithë ne që ta shënojmë në formë të bashkuar çfarë nuk ka ndodhur më herët në Kosovë dhe besoj që është një mundësi unike për të gjithë neve pavarësisht që jemi institucion publik apo organizata joqeveritare. Të drejtat e njeriut nuk janë pronë e asnjërit prej neve, janë të drejta të secilit individ të Kosovës, qytetarëve të vendit dhe në këtë formë të shënimit është mënyra më e mirë për të shënuar këtë ditë”, u shpreh ai.

Fleta Mujaj nga Grupi i fëmijëve monitorues ROR, u shpreh se edhe në bazë të Konventës për të drejtat e njeriut, fëmijët gëzojnë të drejtat e tyre pavarësisht vendit ku jetojnë, por që fëmijët po ballafaqohen me shumë barriera në këtë drejtim.

Duke pasur këtë parasysh, Mujaj ka kërkuar që në Kosovë sa më shumë të respektohen të drejtat e njeriut.

“Fatkeqësisht, për shkak të rrethanave të ndryshme, por krijohen barriera shumë të larta në mes të fëmijës dhe të drejtave, e ato barriera nuk po u japin mundësi fëmijëve as me u takua me të drejtat e lërë më me u mundua me i shfrytëzuar ato. Prandaj, për t’i anashkaluar këto lloj barrikadash, të cilat janë se çdo fëmijë ka të drejtën e mbrojtjes nga dhuna, mirëpo çdo ditë dëgjojmë raste kur fëmija i sheh apo i nënshtrohet dhunës”, ka thënë Mujaj.

Ndërsa Agon Rexhepi nga YIHR, i cili foli për të drejtat e të rinjve në Kosovë, tha se shteti i Kosovës nuk po e do rininë e saj, dhe si mungesë e investimeve në rini kjo pasur e Kosovës po “vyshket”.

Sipas tij arsimi i dobët, mos ofrimi i mundësisë për punësim, janë vetëm dy nga fushat që rinia kosovare po dëshirojnë të largohen nga vendi.

“Vetëm me e shpreh emrin Universiteti i Prishtinës mundemi me e ditë për sa shumë të meta të këtij universiteti e kam fjalën. Rinia e dashur e Kosovës gjithnjë e më shumë po tenton me e braktisë vendin e vetë, vendin që na kanë mësuar, por që edhe e duam, por ama për momentin ky shtet nuk është duke na dashur neve. Këta të rinj e këto të reja po synojnë kushte më të mira të jetës dhe punësim më të madh dhe më cilësor e kur vjen fjala te punësimi kam çka me fol boll, jo që kam shumë, por edhe ai që është ka shumë të meta”, ka deklaruar Rexhepi.

Ai ka kërkuar që rinia të ketë më shumë mundësi në vendimmarrje, si dhe të ofrohet mundësi më e madhe për arsimim.

Për të drejtat e grave në këtë aktivitet foli Merita Stublla-Emini, aktiviste për të drejta gjinore, e cila u shpreh se pabarazia gjinore është shkaku i dhunës kundër grave, fenomen ky i cili po merr jetë në vendin tonë.

Sipas saj, mohimi i të drejtës së grave për trashëgimi familjare është një shkelje tjetër e të drejtave të grave në Kosovë. Ajo shprehu nevojën për ndryshime të praktikave gjyqësore për të drejtat e grave.

“Dhuna ndaj grave nuk po e merr vëmendjen e nevojshme apo që meriton, shumë e shohin dhunën kundër grave si një figurë apo statistikë të tronditur nga ajo por duke mos besuar që ajo mund tu ndodh atyre apo të afërmve të tyre, për një pjesë është ende tabu, megjithatë dhuna ndaj grave duhet të diskutohet. Rekomandoj që të bëhet ndryshim i kornizës ligjore lidhur me dhunën në familje, përkatësisht definimi i saj në kuadër të së drejtës penale. Gjykata duhet të adresoj vonesat në zgjidhjen e çështjeve statusore siç janë ato familjare dhe pronësore brenda kohës së arsyeshme”, ka thënë Emini.

Në këtë aktivitet u paraqit video përmes të cilës persona me aftësi të kufizuara, të rinj, gra, komunitetet në Kosovë pasqyruan shkeljeve të të drejtave me të cilat janë atakuar ndër vite në Kosovë.

Aktiviteti “Çohu për të drejtat e njeriut” këtë vit është mundësuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit, GIZ-i gjerman, organizatat tjera jo qeveritare etj.

Për nder të Ditës Botërore të të Drejtave të Njeriut gjatë ditës do të mbahet edhe një marsh paqësor në shesh.

Back to top button