Kurti falënderoi KFOR-in

Kurti falënderoi KFOR-in

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti sot në takim komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major, Michele Risi. Siç bëhet e ditur, në këtë takim u rikonfirmua përkushtimi për bashkëpunim të afërt ndërmjet kryeministrit dhe komandantit të KFOR-it, përbrenda mandateve që kanë.

“Kryeministri shprehu falënderimin në emër të qytetarëve të Kosovës për rolin e vazhdueshëm të KFOR-it në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në gjithë territorin e Kosovës.”, bëhet e ditur në komunikatën e qeverisë.

Kurti po ashtu vuri theksin në qëllimin e integrimit të Kosovës në NATO si aspiratë që do të realizohet domosdoshmërisht në të ardhmen.

Ndërsa, komandanti i KFOR-it, siç bëhet e ditur, theksoi se nën mandatin e tij të OKB-së, KFOR-i do të vazhdojë përpjekjet e tij për të ofruar një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë njerëzit e Kosovës. Ai gjithashtu ritheksoi rëndësinë e vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi, si dhe angazhimin për koordinim institucional në interes të sigurisë në Kosovë.

Komandanti i KFOR-it e njoftoi kryeministrin se nën mandatin e KFOR-it dhe në kuadër të përgjegjësive të menaxhimit të hapësirës ajrore të autoriteteve të NATO-s, me ndihmën e Hungarisë dhe Islandës, po vazhdojnë përpjekjet për hapjen e korridoreve të reja ajrore.

“Në fund të takimit, bashkëbiseduesit shprehën edhe një herë gatishmërinë për derë të hapur për komunikim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm. Komandanti i KFOR-it i dorëzoi kryeministrit Stemën e Komandantit të KFOR-it.”, bëhet e ditur më tutje në komunikatën e qeverisë./21Media