Artistja vjen në kuadër të një misioni bamirësie

Artistja vjen në kuadër të një misioni bamirësie

Kemi raportuar se këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, gjatë muajit prill do të qëndrojë në Kosovë.

Ylli i muzikës pop është angazhuar nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë dhe me ftesë të UNICEF-it do të qëndrojë në atdheun e saj. Telegrafi mëson se ajo nesër (e martë) do të arrijë në Kosovë.

28-vjeçarja do të qëndrojë tri ditë në vendin tonë në kuadër të një misioni bamirësie dhe do të takohet me viktimat e dhunës seksuale.

Këngëtarja mbajti një koncert madhështor në kuadër të festimeve të dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës (në vitin 2018), ndërsa është vazhdimisht e angazhuar për ta ndihmuar vendin e saj.

Theksojmë që Rita dhe brendi gjerman i modës Escada janë duke përgatitur një kauzë të përbashkët: “Moda për gratë e pavarura dhe të forta për t’i ndihmuar ato të bëhen të forta dhe të pavarura”. Nga çdo produkt i shitur, 40 euro do të shkojnë për bamirësi, për organizatën “Women for Women International”, e cila synon të ndihmojë të mbijetuarat femra të luftës që të rindërtojnë jetën e tyre. Donacionet do të financojnë përpjekjet e organizatës në Kosovë.

Unë kthehem sa më shpesh që të mundem. Është një vend shumë i rëndësishëm për mua”, ka thënë Rita për Kosovën.