Në Evropë jetojnë 10 deri në 12 milion romë

Në Evropë jetojnë 10 deri në 12 milion romë

Romët në Maqedoni vazhdimisht përballen me mungesën e dokumentacionit. Nga qendra evropiane për të drejtat e romëve thonë se po punojnë në mënyrë intensive në ngritjen e të drejtave të romëve dhe se të njëjtat do t’i adresojnë edhe deri te drejtuesit e Bashkimit evropian, të Kombeve të bashkuara, institucioneve vendore, por edhe para gjyqit.

“Merremi jo vetëm me mbrojtjen e të drejtave të romëve por edhe me atë që qeveritë duhet të bëjnë gjithçka që është e mundur ,ta njohin këtë problem dhe të bëjnë gjithçka që mundet që ti marrin parasysh romët pa shtetësi , të marrin masa për lëshimin e dokumenteve identifikuese të këtyre njerëzve. Qytetarëve nga etnia rome u është kërkuar që të paguajnë kompensim për identitetin dhe shtetësinë e tyre dhe kjo është shkelje e të drejtave të njeriut”, u shpreh Adam Weiss, Drejtor i qendrës evropiane për të drejtat e romëve.

Nga rrjeti evropian për personat pa shtetësi thonë se mungesa e dokumentacionit tek këta qytetarë përbën problem pasi u paraqet pengesa në mbrojtjen shëndetësore dhe në procesin edukativo-arsimor.

“Fëmijët nga nacionaliteti rom që rriten pa certifikatë të lindjes nga libri amë i të lindurve janë veçanërisht të kyçur në rrezikun për pa shtetësi. Ekzistojnë hapa pozitiv dhe aksione që janë marrë në drejtim të lehtësimit të procesit për marrjen e shtetësisë megjithatë duhet të bëhet më shumë dhe të përshpejtohet ky proces”, tha Nina Murray, rrjeti evropian për personat pa shtetësi.

Juristët ndërkaq folën për arsyet pse ndodhë kjo dukuri. Sipas tyre prindërit nuk i regjistrojnë fëmijët e porsalindur.

“Arsyet janë të ndryshme, disa prej tyre janë për shkak të mos regjistrimit të emrave nga lindja, disa prej tyre kanë origjinë prej disa vendeve të ish Jugosllavisë që në atë kohë kanë qenë në përbërje të Jugosllavisë dhe për shkak kësaj nuk kanë mundur të regjistrohen as për shtetësi të Maqedonisë as në vendet ku e kanë origjinën, dhe për këto arsye përballen me këtë problem”, tha Aleksandra Efrimova, nga shoqata maqedonase e juristëve të rinj.

Ndryshe, sipas këshillit evropian, në Evropë jetojnë 10 deri në 12 milion romë, ndërsa 53 mijë e 879 prej tyre jetojnë në Maqedoni. Qendra evropiane për të drejtat e romëve në bashkëpunim me organizata joqeveritare nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Ukraina kanë filluar nga viti 2016 projektin me temë “Romët përkasin- Mungesa e shtetësisë, diskriminimi dhe margjinalizimi i romëve në Ballkanin perëndimor dhe Ukrainë.” Qëllimi i këtij projekti është aktualizimi dhe adresimi i mungesës së dokumenteve dhe shtetësisë së romëve, vlerësimi i të drejtave të romëve dhe mbrojtja e tyre në mënyrë ligjore./21Media