"I bëjmë thirrje KQZ-së të largojë nga lista këta persona që po ushtrojnë dhunë"

“I bëjmë thirrje KQZ-së të largojë nga lista këta persona që po ushtrojnë dhunë”

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti reagoi pas rrahjes së sontme ndërmjet Haki Abazit dhe Dardan Molliqajt.

Përmes një postimi të publikuar pak minuta më parë në facebook, Kurti theksoi se banditët nuk e kanë vendin në debate televizive.

Lideri i VV-së shtoi se publiku nuk e meriton nivelin e ulët të diskutimit.

“Pas emisionit “Pressing” në T7, kandidati i listës së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Haki Abazi është sulmuar rëndë nga kandidati i AAK-së, D. Molliqaj dhe shoqëruesit e tij. Ky sulm banditesk i ka shkaktuar lëndime fizike z. Abazi, dhe për këtë menjëherë kemi njoftuar policinë. Bandat mafioze që kanë kapur shtetin po frikësohen prej ndryshimit që po vjen, prej entuziazmit popullor dhe prej drejtësisë që do të vendoset nga Lëvizja VETËVENDOSJE! Ata po e shfaqin nervozën e tyre duke shpifur pa u ndalur, e tash edhe duke sulmuar fizikisht. Ata tashmë e kanë traditë sulmin fizik ndaj debatuesve në emisione televizivë. Publiku nuk e meriton këtë nivel të ulët diskutimi.”, shkroi Kurti në facebook.

Ai më tutje i bëri thirrje policisë që të merr masa ndaj persnave të tillë.

“Kosova nuk e meriton këtë nivel të ulët përfaqësimi. Tash po e kuptojmë se sllogani i tyre propagandistik “guxim dhe dije”, po nënkupton që guximin e paskan banditët, a dijen injorantët. Presim nga policia të marrë masa ndaj tyre. I bëjmë thirrje KQZ-së të largojë nga lista këta persona që po ushtrojnë dhunë. Qëndrojmë në mbështetje të plotë të z. Haki Abazi, dhe të cilitdo aktivist që është sulmuar me dhunën e tyre verbale e fizike.”, shkroi më tutje Kurti në facebook.

Kandidati për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka theksuar se është sulmuar nga Dardan Molliqaj dhe shoqëruesi i tij, pas emisionit të sontëm në T7. Kurse, Molliqaj ka shkruar se asgjë nuk ka ndodhur jashtë studios, përveç një debati me pak tensione./21Media