Vullnetarja që ia kushtoi jetën rinisë dhe grave

Vullnetarja që ia kushtoi jetën rinisë dhe grave

Lajmi për përzgjedhjen e saj në mesin e dhjetë grave më të suksesshme të Skocisë bëri bujë në mediat shqiptare dhe ato ndërkombëtare. Mirëpo shumë pak shqiptarë dinë për jetën dhe veprimtarinë e saj. Sakrificat dhe mundi që ajo kaloi në jetë për të arritur t’i bëjë krenarë miliona shqiptarë.

Shumë pak njerëz në fakt do ta besojnë që vetëm fal forcës, energjisë pozitive dhe inspirimit që ishin fëmijët e saj ajo tejkaloi çdo vuajtje shpirtërore dhe arriti të dëgjohej emri i saj në mbarë botën, si një aktiviste që ndihmon në afrimin e komuniteteve.

Remzije Zeka-Sherifi për rtv21.tv rrëfeu rrugëtimin jetësor, që nga mosha 5 vjeçare, deri tani, ku tregoi për jetën dhe punën e saj.

Kur zonja Remzije ishte 5 vjeçe, familja e saj morën vendimin që të shpërngulen nga Prishtina në Gjilan, pasi babai i saj u transferua me punë atje. Në vitin 1973, atëbotë gjimnaziste, ajo filloi punën në Radio Gjilan si udhëheqëse e programeve për të rinj dhe fëmijë. Pas dy vjetëve studime në drejtimin e elektroteknikës, pasioni i saj ndikoi që ajo t’i kthehet sërish punës në radio, si gazetare e vetmja atëkohë që udhëhiqte emisione informative.

Në vitet e 90’ atëherë kur u mbyllën të gjitha institucionet informative të Kosovës, zonja Remzije u largua me dhunë nga puna.

“Largimi nga puna, jeta nën thundrat e okupimit serb dhe ndër kohë humbja e motrës, për një dekadë më bënë që të gjitha ëndrrat t’i mbylli në sirtar, nën dry. Jetoja me frikën se mos po i humbisja njerëzit që i doja më shumë se veten. Dëshira dhe shpresa ime e vetme para se të gjithash, ishte t’i shohë fëmijët e mijë duhet u rritur. Nata e 28 marsit e vitit 1999 ishte nata më e gjatë në jetën time, minuti më dukej sa viti, e ora sa një shekull. Të strukur në podrumin e ftohtë prej betoni në shtëpinë e motrës sime të ndjerë bashkë me djemtë, bashkëshortin dhe anëtarët tjerë të familjes, dëgjuam lëvizjes e tankeve dhe gjuajtjet e padëgjuara më parë. Nga minuta në minutë pritsha që paramilitarët serbë të thyejnë derën dhe të përjetojmë tmerrin, e ajo nga më së tepërmi frikohesha, e që shumë bashkëvendës kishin përjetuar më parë, ishte masakrimi i fëmijëve para syve të prindërve apo përdhunimi i grave në prani të fëmijëve.

Ndër kohë nga djali i axhës mësova se pos shtëpisë së familjes së Kadri Zekës dhe katër shtëpive tjera, ishte goditur edhe shtëpia jonë, ku kishte viktima. Ishim me fat atë natë. Nga tragjedia e familjes time, na ndau vetëm një kohëzgjatje prej 5 minuta për të ikur në një vend më të sigurt”, rrëfen ajo, shkruan rtv21.tv

Pas tmerrit të luftës, fatmirësisht bashkë me tre djemtë, zonja Remzije dhe bashkëshorti i saj u strehuan në kampin e refugjatëve në Stankovec të Maqedonisë, por ajo thotë se shpirti i saj ngeli në Kosovë.

Më 9 maj të vitit 1999, familja Sherifi së bashku me 360 shqiptarë të tjerë morën rrugën për në Skoci, fal programit humanitar të Mbretërisë së Bashkuar.

Ishte një rrugëtim i gjatë e plotë ankth, por kur mbërritën në aeroportin e Glasgow, zonja Remzije tregon se aty morri frymë lirisht dhe këtë ditë e cilëson si ditën kur lindi për herë të dytë.

“I shpëtova vuajtjeve të luftës në Kosovë, por nuk e dija nëse do t’i shpëtoja luftës me kancerin. Isha në listën e pacientëve që do të operohesha dhe po vuaja shpirtërisht. E ndjeja brenda vetes se kisha ende për të dhënë në këtë botë, ishte herët për të ikur dhe kisha një thirrje nga brendësia ime që duhet të bëja diçka për të mirën e fëmijëve të mijë, por jo vetëm për ata. T’u ktheja lumturinë ëndrrave të humbura të fëmijërisë dhe të mirën e komunitetit kosovarë. Disa gjëra në jetë janë rastësi, por për realizimin e ëndrrave dhe qëllimeve duhet forcë, energji pozitive dhe inspirim. Këto nuk më mungonin ngase fëmijët e mijë ishin inspirimi im dhe falë përkrahjes morale nga bashkëshorti fillova me organizimin e aktiviteteve të ndryshme”, rrëfeu tutje zonja Remzije.

Pas intervenimit të suksesshëm kirurgjik, ajo iu rrekë punës vullnetare në produksion teatror me fëmijë kosovarë, më pas themeloi grupin e grave dhe atë të valltarëve.

Zonja Remzije tregon se këto ishin bazat e forta për themelimin e bashkëpunimit shqiptaro-skocez, “AlbScott”, të cilën ajo ende e koordinon në suaza vullnetare.

Më tepër se tre vjet punoi vullnetarisht në shoqata e institucione joqeveritare skoceze, për rininë dhe gratë. U punësua në një organizatë rinore, pastaj pas përvetësimit të gjuhës, u punësua në Organizatën e Zhvillimit të Komunitetit “Links”.

Në vitin 2004, zonja Remzije pati një intervenim të dytë kirurgjik, por kjo nuk e ndali të vazhdojë angazhimet në punë. Vetëm një javë pas intervenimit ajo mori postin e koordinatores për zhvillim në Maryhill Integration Network. Tani janë bërë 13 vjet që është pjesë e kësaj organizate me staf prej 3 anëtarëve, 6 bashkëpunëtor sezonal dhe 60 vullnetarë. Një organizatë që luan rolin urëlidhës në integrimin e azilkërkuesve, refugjatëve, emigrantëve dhe qytetarëve të komuniteteve të tjera me ata vendase.

“Për më shumë se një dekadë kam shkruar skenarët dhe kam drejtuar mbi 20 produksione teatrale të shfaqura në manifestimet dhe festivalet më prestigjioze në Skoci. Njërën shfaqje ua kam dedikuar grave që u përdhunuan e u mbytën shpirtërisht gjatë luftës në Kosovës. Se arti dhe kultura janë mënyrat më natyrale për afrimin e njerëzve dhe lulëzimit të miqësisë, pavarësisht prejardhjes, ngjyrës apo besimit fetar”, tha zonja Remzije.

Në bashkëpunim me Glasgow Open Museums, AlbScott dhe MIN, zonja Remzije ka organizuar ekspozitën “1+1: Jetë dhe Dashur”, e cila gjatë dy muajve verë sa ishte e hapur në Galerinë Kelvingrove Art Gallery është vizituar nga mbi 2 milionë njerëz nga mbarë bota.

Zonja Remzije mendon se për të arritur tek vëmendja e njerëzve dhe për t’ua ndryshuar mendimet e për t’i hapurt zemrat e tyre ndaj azilkërkuesve dhe refugjatëve, publikimi i librave dhe prodhimi i filmave të shkurtër, luan një rol të veçantë.

Ajo është producente e publikimeve “Second Home”, antologji me prozë e poezi, librit me përmbledhje të recetave të gatimit nga 22 shtete, përfshirë këtu edhe ato të trojeve shqiptare i titulluar “Heart of the Home”, “The right of dream” e shkruar nga poetët e rinj, “Tiny Songbirds” përmbledhje dhe CD me ninulla në gjuhën shqipe dhe të ndryshme. Poashtu, ajo ka kontribuar në publikimin e librit “Shadow behind the sun”, që u nominua për shpërblimin “Saltire Price”, shkruan rtv21.tv

“Kontributi im në shoqërinë britanike u vlerësua për punën në fushën e zhvillimit shoqëror, të artit dhe kulturës. Jam nderuar në vitin 2007 si kampione komunale, e përzgjedhur nga Evening Times. Në vitin 2008 me Champione për Skocinë, në vitin 2012 kampine për të arriturat jetësore në lëmin e artit dhe kulturës në Skoci. Më 2013 u shpalla “Gruaja emigrante e vitit në MB”, ky çmim më vonë u pasua nga një tjetër, “Life time achievement Award”, shtoi tutje ajo.

Në vitin 2014, në Maryhill Burgh Halls, godinë kjo mbi 200 vjeçare, pasi u renovua u gdhendën emrat e 10 qytetarëve që kontribuuan gjatë shekullit të fundit, në mesin e tyre gjendet edhe emri i zonjës Remzije.

Tri vjet më parë, ajo u ftua në TEDx Glasgow për të rrëfyer rrugëtimin dhe punën që bënë në Skoci, me temën “ E drejta për të ëndërruar”.

Për çdo kontribut të deritanishëm, zonja Remzije e dinte se do t’i shpërblehej, por këtë vit larg pritshmërive të saja ajo u rëndit në listën e grave më me ndikim në Skoci, si dhe gruaja inspiruese e vitit për Glasgow. Shpërblime këto që ua dedikoi prindërve dhe motrës së ndjerë, familjes, nipave dhe mbesave, Ronit, Kanit, Gretës, Edës, Borës dhe Ninës.

Në muret e shtëpisë së zonjës Remzije, përkrah dhjetëra çmimeve ndërkombëtare, fatkeqësisht është i gozhduar vetëm një çmim nga institucionet e Kosovës.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri e nderoi atë me mirënjohje për kontributin e dhënë para luftës në këtë komunë dhe prezantimin e denjë të traditës dhe kulturës shqiptare në botë.

“Përvoja më ka mësuar se njerëzit harrojnë atë që keni thënë, por do t’ju mbajnë në ndërmend për atë që keni bërë, që të mbetet trashëgimi për brezat që do vijnë, e kjo ka posaçërisht peshë këtu në dheun e huaj”, tha zonja Remzije.

Rrëfimin e saj ajo dëshiroi ta përfundojë me një thirrje për të gjithë shqiptarët.

“Ju kisha bë thirrje të gjithë shqiptarëve kudo që janë, të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin që të jemi më tolerant, e të respektojmë dhe mendimet e idetë e njëri-tjetrit. Suksesin që e kam arritur në dheun e huaj nuk e kam arritur vetëm në sajë të pasionit që është energji dhe motor i entuziazmit e përkushtimit tim, por fal bashkëpunimit tim me institucione të ndryshme qeveritare, e jo qeveritare dhe përkrahjes së pashoq të shumë njerëzve të mençur e të ditur që kam takuar. Eksperienca dhe puna kolektive, respektimi i pranimit të mendimit të kundërt dhe padyshim vizioni largpamës, janë çelës i sukseseve”, përfundon rrëfimi i zonjës Remzije, një grua e hekurt që duhet të merret shembull nga të gjithë, sidomos nga të rinjtë e Kosovës, që do të sfidohen me valët e jetës./21Media