"Kur e pashë Henry-n në fund të korridorit, nisa të qaja si fëmijë"

“Kur e pashë Henry-n në fund të korridorit, nisa të qaja si fëmijë”

Eric Abidal ngriti trofeun e Champions League të vitit 2011, madje edhe me shiritin e kapitenit vetëm për atë ndeshje, pasi ishte rikthyer nga operacioni i parë kundër tumorit në mëlçi. Një moment që përloti shumë futbolldashës dhe ndoshta mund të konsiderohet si një nga fotot më të bukura të futbollit të viteve të fundit.

Megjithatë, pas triumfit në fushë dhe fitores së parë ndaj sëmundjes, mbrojtësi i majtë francez u desh të luftonte sërish, derisa më në fund bëri transplantin e mëlçisë një vit më vonë.

E gjithë kjo histori vuajtjesh dhe triumfi është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes nga vet lojtari, i cili ka rikujtuar gjithçka gjatë një interviste të dhënë për “Canal Plus” me ish-shokun e tij të kombëtares franceze, Olivier Dacourt. Muaj gjatë të cilave, siç shprehet ai, u kthye në një “kufomë që ecte”.

Dy ishin episodet që ranë më shumë në sy gjatë intervistës.

Një herë i kishte dërguar një video inkurajimi shokëve të skuadrës katalanase, por reagimi i tyre e bëri të kuptonte realisht kushtet në të cilat po jetonte, mes jetës dhe vdekjes.

“Disa prej shokëve më kanë parë teksa isha dobësuar shumë. Regjistrova një video përpara një ndeshjeje të rëndësishme, për t’iu thënë që të mos shqetësoheshin për mua, sepse ishte njësoj si të isha atje me ata. E dini se si mu përgjigj Messi? Të mos u dërgoja më video të atilla, sepse do t’u kisha shkaktuar efektin e kundërt”, rrëfen Eric Abidal.

“Mendoja se do të kishte një efekt pozitiv, kështu që u shkruajta forca djema. Por ata më shihnin asokohe si një kufomë që ecte, e kjo i trishtonte shumë”, thotë më tej Abidal.

Më pas tregoi mes emocioneve të mëdha edhe për vizitën e Thierry Henry që i kishte bërë në New York.

“Kur e pashë në fund të korridorit, nisa të qaja si fëmijë. Nuk doja që të më shihte në atë gjendje, por mu bë shumë qejfi që erdhi të më takonte”, shprehet Abidal.

Sa i përket periudhës së dhimbshme, tregon:

“Kisha një dhimbje të tmerrshme, që nuk e kisha ndjerë kurrë në jetë. Ishte e padurueshme, si një thikë që ngulej ngadalë në një plagë të hapur. Madje, kur mjeku më thoshte se do t’i nënshtrohesha një tjetër operacioni, mund të duket e çuditshme, por gëzohesha”, mbyll intervistën Abidal.