Sot Kosova zhvillon ndeshjen e fundit në fazën e grupeve të Ligës së Kombeve

Sot Kosova zhvillon ndeshjen e fundit në fazën e grupeve të Ligës së Kombeve

Federata e Futbollit të Kosovës ka bërë një tjetër njoftim në lidhje me ata që do të jenë të pranishëm në Stadiumin “Fadil Vokrri”.

Sot Kosova zhvillon ndeshjen e fundit në fazën e grupeve të Ligës së Kombeve, ku pret Azerbajxhanin.

Para këtij takimi është bërë shitja e biletave online dhe FFK ka udhëzuar ata që kanë këto bileta sesi duhet të veprojnë para se të hyjnë në stadium.

Më poshtë mund t’i gjeni disa nga rregullat që i ka paraparë Federata e Futbollit të Kosovës për të gjithë ata që do ta ndjekin këtë ndeshje nga afër.

Federata e Futbollit e Kosovës njofton të gjithë qytetarët që janë pajisur me biletën online të ndeshjes Kosova – Azerbajxhani, se janë të obliguar që atë ta printojnë-shtypin (nuk ka rëndësi bardhezi apo me ngjyra, por printimi duhet të jetë i pastër).

Emri dhe mbiemri në biletë duhet të përputhet me të dhënat personale në letërnjoftim apo ndonjë dokument tjetër identifikimi (me fotografi) nga personi që hyn në stadium. Çdo mbajtës i biletës duhet të ketë me vete një dokument identifikimi. Për fëmijët nën moshën 16-vjeçare kërkohet prania e prindit apo kujdestarit përkatës, i cili duhet të jetë mbi moshën 18-vjeçe.

Gjatë hyrjes në stadium stafi përgjegjës për siguri mund të kërkojë nga shikuesit që të tregojnë një dokument identifikimi me qëllim të validitetit të biletës.

Nëse bileta është e dëmtuar hyrja në stadium nuk është e mundur.

Kini kujdes, mos e shpërndani biletën me barkod të dukshëm sepse rrezikoni që bileta juaj të përdoret nga persona të tjerë dhe më këtë rast hyrja në stadium nuk do të jetë e mundur. Me biletë hyrja në stadium i lejohet vetëm mbajtësit të saj dhe për një hyrje të vetme.

Kosova sonte prej orës 20:45 e pret në stadiumin “Fadil Vokrri” Azerbajxhanin në ndeshjen e fundit të Grupit 3 në Ligën D, në kuadër të Ligës së Kombeve. Kosovës i duhet fitorja ose barazimi për t’u promovuar në Ligën C, pasi aktualisht është në krye të grupit me 11 pikë, dy më shumë se Azerbajxhani. Në ndeshjen e parë në Azerbajxhan “Dardanët” morën një pikë në Baku.