Vlerësohet lartë ndihma e Kosovës

Vlerësohet lartë ndihma e Kosovës

Nga Dogana e Republikës së Kosovës rreth 15 kontingjent me ndihma ushqimore janë nisur drejt Shqipërisë për t’iu dalë në ndihmë zonave të Fierit dhe Vlorës, të cilat janë prekur më së rëndi nga përmbytjet e fundit.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovës, Qemal Minxhozi e ka vlerësuar lartë ndihmën që po ofrojnë institucionet dhe bizneset e Kosovës drejt zonave të prekura nga vërshimet që kapluan Shqipërinë.

Sipas Minxhozit, zona e Fierit ka nevojë për sigurim të ushqimeve për bagëtitë, të cilat janë në gjendje kritike. Po ashtu tha se rreth 500 persona nga Prizreni kanë përgatitur 500 pako me gjëra ushqimore elementare për t’iu dalë në ndihmë zonave të rënduara të asaj ane.

Ambasadori u shpreh se kontingjentet që po nisen drejt Shqipërisë po ndihmojnë bagëtitë e Fierit me bar, koncentrate dhe sanë. Gjithashtu, nga ana tjetër dhe Policia e Kosovës u ka dalë në ndihmë forcave policore të Shqipërisë për të përballuar situatën e krijuar në atë anë.

Visar Ymeri nga kompania “Oraca” e Gjilanit, tha se rreth 20 tonë ushqime për bagëti sot janë duke i bartur drejt zonës së Vlorës pasi ka mungesë të madhe të ushqimit për kafshë. Ndërsa, Florim Bytyqi nga kompania “Kushtimi” tha se edhe komuna e Malishevës është organizuar për t’iu dal në ndihmë zonave të përmbytura në Shqipëri. Ai tha se në kontingjentin e tij ka rreth 7500 kilogramë krunde për kafshët.

Sipas tij, në ditët e ardhshme do të ndërmarrin edhe iniciativa tjera për t’iu ndihmuar zonave të prekura nga përmbytjet në Shqipëri. Ndërsa, për dallim nga këta dy, Yrjet Berisha nga qyteti i Prizrenit tha se kompania Abi së bashku me disa kompani tjera kanë grumbulluar gjëra ushqimore elementare si vaj, kripë për t’iu ndihmuar vëllezërit në Vlorë.

Berisha po ashtu, tha se do të vazhdojnë për t’iu dalë ndihmë familjeve në Shqipëri që janë prekur nga vërshimet e fundit.