KE financon themelimin e Insitutit për Inovacion dhe Punësim në Universitetin e Prizrenit

KE financon themelimin e Insitutit për Inovacion dhe Punësim në Universitetin e Prizrenit

Rektori i Universitetit të Prizrenit, Ramë Vataj, të mërkurën ka nënshkruar Marrëveshjen e Grantit për projektin “Krijimi i Qendrave nga Teoria në Praktikë për Inovacion dhe Punësim”, në vlerë prej rreth 1 milion e 200 mijë euro, me Mihone Kerolli Mustafa, përfaqësuese zyrtare e këtij granti.

Ky projekt i financuar nga programi Erasmus, i Bashkimit Evropian, ka për qëllim themelimin e Institutit nga Teoria në Praktikë për Inovacion dhe Punësim në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren.

Projekti do të arrijë deri në 20 mijë persona të angazhuar në arsimin e lartë dhe ekonominë në Kosovë dhe jashtë saj.

“Të gjithë përfaqësuesit e institucioneve partnere kanë shprehur entuziazmin dhe angazhimin e tyre drejt përfundimit me sukses të këtij projekti. Ky projekt do të arrijë deri në 20,000 persona të angazhuar në arsimin e lartë dhe ekonominë në Kosovë dhe jashtë saj (përmes shpërndarjes së tij profesionale). Për më tepër, projekti përfshin rritjen e kapaciteteve profesionale të stafit brenda UPZ dhe partneritetit me Institucionet e Arsimit të Lartë ndërsa gjithashtu punon drejtpërdrejt me sektorin privat për të ndërtuar bashkëpunim afatgjatë. Rezultatet shtesë përfshijnë modernizimin dhe inovacionin e programeve ekzistuese arsimore, duke përditësuar dhe duke krijuar kurse të reja ku do të identifikohen mospërputhjet e aftësive”, thuhet më tej në njoftim.

Rektori i UPZ, Ramë Vataj theksoi se nënshkrimi i këtij Granti është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e mëtutjeshëm të UPZ-së.

Partnerë në këtë projekt janë: International Business College Mitrovica- IBCM në Mitrovicë, Shkolla e Menaxhimit Graiciunas (Lituani), Universiteti i Ekonomisë Kombëtare dhe Botërore (Bullgari), Universiteti i Lubjanës (Sllovenia) dhe Kolegji Rajonal i North West (UK), Universiteti i Prishtinës, Universiteti “Haxhi Zeka”, Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, Kolegji i Ekonomisë Pejë-Leposaviq, Dhoma e Tregtisë në Kosovë. / 21Media