Në kuadër të festivalit janë hapur edhe 6 punëtori, të cilat kanë për qëllim avancimin dhe aftësimin e të rinjve për filmin e animuar

Në kuadër të festivalit janë hapur edhe 6 punëtori, të cilat kanë për qëllim avancimin dhe aftësimin e të rinjve për filmin e animuar

Edicioni i tetë i festivalit “Anibar International Animation Festival” do të hapet më 14 gusht dhe do të zgjasë deri më 20 gusht, ndërkaq Peja është qyteti ku do të zhvillohet ky festivali i animacionit.

Kjo është bërë e ditur në një konferencë për media të organizuar nga Anibar International Animation Festival, në të cilën u bë shpalosja e programit të edicionit të tetë të festivalit.

Drejtori i këtij festivali, Vullnet Sanaja, tha se këtë vit ka pasur rritje të madhe të filmave pjesëmarrës, ku do të shfaqen rreth 300 filma në katër kinema të hapura dhe të mbyllura.

Tema e këtij edicioni të festivalit “Anibar International Animation” është rikthimi i qytetit dhe gjatë ditëve sa zgjat festivali do të organizohen panele për të diskutuar për këtë çështje.

Në kuadër të festivalit janë hapur edhe 6 punëtori, të cilat kanë për qëllim avancimin dhe aftësimin e të rinjve për filmin e animuar.

Sipas Sanajat, këtë vit në fokus të festivalit është shteti i Holandës, ku do të shfaqet një punëtori dhe dy programe nga festivali “Click” në Amsterdam.

Ai, po ashtu, tha se gjatë festivalit do të shfaqen edhe filma të metrazhit të gjatë dhe do të ketë “caffe and talks”, ku do të prezantohen film-bërësit dhe do të shpalosin eksperiencat e tyre.

Në kuadër të festivalit do të hapet edhe ekspozita e Josh Fitz Gabel, anëtar i jurisë në “Anibar International Animation”, i cili të shtunën do të ketë edhe një retrospektivë në kinemanë “Jusuf Gërvalla”.

Sanaj tha se gjatë kohës sa do të zgjasë festivali do të shpalosen edhe programe speciale nga festivalet e tjera bashkëpunëtore me Anibar.

Ndërsa, zëdhënësja për media e Anibar, Pranvera Selimi tha se në kuadër të festivalit janë organizuar edhe “party” të ndryshme ku do të performojnë grupe muzikore vendore siç janë “Asgjë sikur dielli”, Buta, Eugen Bushpepa, Dj të ndryshëm, etj.

Deri më tani sipas organizatorëve 50 vizitorë janë siguruar për ardhjen e tyre në festival, mirëpo ka interesim të madh edhe nga njerëzit tjerë që të përcjellin festivalin.

Përveç mediave vendore, këtë vit festivali po përcillet edhe nga magazinat ndërkombëtare të cilat shkruajnë veçanërisht për animacione siç janë Cartoon Brew dhe ZB frames./21Media