Një shembull i Norvegjisë në Kosovë

Një shembull i Norvegjisë në Kosovë

Në Podujevë ka filluar një iniciativë, që mollët tepricë t’iu shërbehen atyre që kanë nevojë. Një iniciativë të tillë e ka marrë profesori i gjimnazit “Aleksandër Xhuvani”, Patriot Rudari, i cili përreth murit të oborrit të shtëpisë ka vendosur qeset me molla.

Rudari për rtv21.tv u shpreh se iniciativa i ka lindur, duke ndjekur një shembull nga Norvegjia, derisa tha se iniciativën e ka marrë para disa ditëve.

“Para disa ditësh e pashë në rrjetet sociale në Norvegji e me pëlqeu shumë, e bana edhe unë për herë të parë”, u shpreh Rudari.

Veprimi i nisur nga Rudari është mirëpritur nga banorët e Shajkocit, në vendin ku edhe banon Rudari, shkruan rtv21.tv

“Po veç për një orë tri kese i mueren, dmth e kam pritë mirë unë personalisht vet s’e kam pa veç në Norvegji”, u shpreh profesori.

I pyetur se deri tani a e ka ndjekur dikush nga banorët e fshatit këtë iniciativë, ai u shpreh se deri tani nuk e ka parë dikë ta ketë ndjekur këtë veprim.

Rudari shtoi se iniciativën do ta vazhdojë për një muaj, derisa të ulen temperaturat.

Profesori tregoi që çdo vit u ka shpërndarë miqasisë molla, ndërsa një iniciativë të tillë të shpërndajë molla për kalimtarët e ka marrë pak ditë më parë./21Media