Rrethi i dytë i zgjedhjeve parlamentare në Francë

Pritet fitore bindëse e partisë së Macronit

Gati 47 milionë francezë me të drejtë vote kanë mundësi të votojnë sot në kuadër të rrethit të dytë të zgjedhjeve parlamentare.

Sipas parashikimeve të fundit, partia e qendrës e Presidentit Emanuel Macron do të siguroi shumicën absolute.

Qendrat e votimit u hapën në orën tetë të mëngjesit, në qytetet më të vogla ato u mbyllën në orën 18, ndërsa në Paris dhe qytetet tjera të mëdha do të qëndrojnë të hapura deri në orën 20, kur pritet edhe publikimi i rezultateve të para jozyrtare.

Anketat parashohin se partia e Macronit, Republika në Lëvizje dhe partia e saj aleate, Modem, do të fitojnë prej 430 deri në 460 ulëse në parlamentin prej 577 ulëseve. Sipas projeksioneve, Partia Konservatore Republikane dhe aleatët e saj pritet të sigurojnë prej 70 deri në 95 vende, socialistët prej 25 deri në 35 ulëse, ndërsa partitë e ekstremit të djathtë prej një deri në gjashtë vende.

Në rrethin e parë, Republika në Lëvizje fitoi 32.32 për qind të votave, Republikanët e djathtë 21.56 për qind, ndërsa partia e ekstremit të djathtë, Fronti Kombëtar, 13.20 për qind të votave.

Socialistët, të cilët deri vonë ishin në pushtet, siguruan 9.51 për qind të votave, ndërsa partitë e ekstremit të djathtë morën 13.74 për qind të votave.

Zgjedhjet e sotme po zhvillohen nën masa të shtuara të sigurisë, pasi që për mbarëvajtjen e zgjedhjeve u angazhuan mbi 50 mijë policë shtesë.

Në Francë ende është në fuqi gjendja e jashtëzakonshme, e cila u vendos në vitin 2015, pas serisë së sulmeve terroriste, si pasojë e së cilave u vranë 239 njerëz./21Media

Back to top button