"Maqedonia është e gatshme të përballet me valë emigrantësh"

“Maqedonia është e gatshme të përballet me valë emigrantësh”

Maqedonia e Veriut dhe rajoni rrezikohen nga një valë e re e refugjatëve nga Lindja e Mesme, pas paralajmërimit të presidentit turk Rexhep Taip Erdogan. Ky i fundit kërcënoi rihapje të rrugëve për refugjatët drejt Perëndimit, nëse nuk financohet plani i tij për të krijuar “zona të sigurta” kufitare për refugjatë sirianë në BE.

Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, thotë se nuk ka indicije për rritjen e numrit të emigrantëve, dhe se si shtet Maqedonia është e gatshme të përballet me valë emigrantesh.

Ai shtoi se krerët e BE-së dhe Turqisë duhet të arrijnë marrëveshje, që mos të na kanoset rritje e numrit të emigrantëve, raporton TV21.

“Si shtet ju e dini se jemi të përgatitur nëse na kanoset ndonjë valë e emigrantëve. Qëndrimi i Qeverisë është po i njëjti siç e kemi pasur deri tani, nuk ka ndryshime në aspekt që kemi dy qendra transite, nëpër të cilët kalojnë emigrantët, e dyta, ne do ta respektojmë politikën e UE, në aspekt të përballjes së krizës me emigrantë. Tani për tani nuk ka indicie se mund të rritet numri i emigrantëve. Mendoj se BE duhet seriozisht të zbatojë dhe të qëndrojë pas marrëveshjes me Turqinë, nëse nuk duam të na ndodh valë emigrantësh”, deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Spasovski foli kështu në ushtrimin taktiko-operativ “Gjahu” ku i pranishëm ishte homologu i tij nga Kosova, Ekrem Mustafa. Ky i fundit u pyet për Alil Demirin dhe  Afrim Ismailoviq, persona të akuzuar në rastin “Monstra”, e që janë në arrati në Kosovë.

“Gjithësesi ata duhet të ekstradohen, por ende nuk kanë kaluar proceset në ministrinë e drejtësisë së Kosovës”, tha Ekrem Mustafa, ministër i Brendshëm i Kosovës.

Nga Ministria e drejtësisë së Kosovës nuk ka përgjigje në lidhje më këtë rast. E nga Ministria e drejtësisë së Maqedonisë thonë se nuk kanë informacione dhe se disa herë kanë dërguar kërkesë për ekstradimin e Ismailoviqit dhe Demirit, por se nuk kanë marrë përgjigje.

Ndryshe Të akuzuar në rastin Monstra janë Fejzi Aziri, Haki Aziri, Afrim Ismailoviq, Agim Ismailoviq, Sami Luta dhe Alil Demiri. Vrasja ka ndodhur më 12 prill të vitit 2012./21Media