Kurti shprehet kundër referendumit të Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Qeveria e Kosovës e kundërshton organizmin e referendumit të Serbisë të paralajmëruar për 16 janar të vitit të ardhshëm. I pyetur se a do ta lejojë Qeveria e Kosovës këtë, Kurti ka thënë se qëndrimi kundër i qeverisë nënkupton edhe veprim.
Serbia synon që më 16 janar të organizojë referendum për çështje të brendshme por duke e zgjeruar atë edhe në komunat e Kosovës të banuara më shumicë serbe.
“E dimë që Serbia synon ta mbajë një referendum në Kosovë me datën 16 janar për çështje të saj të brendshme mirëpo Qeveria e Republikës së Kosovës nuk është dakord me një synim të tillë jo vetëm për shkak se kjo është në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën tonë por edhe për shkak se konsiderojmë që praktikat e mëhershme që i kanë aplikuar qeveritë e mëparshme kanë qenë po ashtu në shkelje të ligjit dhe kushtetutës sonë”, ka thënë Kurti.
Ai ka folur edhe për lidhjen e kësaj date me ngjarje të rëndësishme në Kosovë.
“Dhe sikur kjo të mos mjaftonte e keni parasysh që 16 janari ndodhet midis 15 janarit dhe 17 janarit, më 15 janar është përvjetori i Masakrës së Reçakut të cilën në vazhdimësi e mohojnë zyrtarët e Serbisë deri të presidenti i fqinjit tonë verior, ndërkaq 17 janari është 40 vjetori i vrasjes së Kadri Zekës dhe vëllezërve Gërvalla, Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës, njëkohësisht është edhe katër-vjetori i vrasjes së politikanët serb nga Mitrovica, Oliver Ivanoviq. Datë më të mbrapsht për të synuar të organizojë referendum në Kosovë për çështje të brendshme të tyre nuk kanë mundur të zgjedhin. Ne jemi kundër dhe natyrisht që si Qeveri qëndrimi jonë është edhe veprim i yni”, ka thënë kryeministri Kurti.
Shefi i ekzekutivit është përgjigjur edhe për një vizitën që ishte paralajmëruar për në shtetet e Bashkuara të Amerikës për çka ka thënë se pret ta zhvillojë në fillim të vitit të ardhshëm.

Back to top button