"RrGK konsideron se ndarja e këtij çmimi për Handke është fyerje e madhe për secilën viktimë të shovinizmit serb"

“RrGK konsideron se ndarja e këtij çmimi për Handke është fyerje e madhe për secilën viktimë të shovinizmit serb”

​Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) i është bashkuar zërave vendor dhe atyre ndërkombëtar, duke dënuar ashpër ndarjen e çmimit Nobel për Letërsi për vitin 2019 për shkrimtarin austriak, Peter Handke.

Handke, i njohur si përkrahës i regjimit të Sllobodan Millosheviqit haptasi ka mohuar masakrat që kanë ndodhur në Ballkan, duke u deklaruar edhe kundër bombardimeve të NATO-s në Kosovë.

RrGK thotë se ai publikisht sugjeroi se myslimanët e Sarajevës masakruan vetveten, si dhe ka marrë pjesë në varrimin e kriminelit të luftës, Sllobodan Millosheviq.

“RrGK sjell ndër mend se gjatë regjimit të Millosheviqit në Kosovë janë dhunuar seksualisht 20 mijë persona, si dhe sot 20 vjet pas përfundimit të luftës, mbi 1600 persona janë akoma të zhdukur. Duke kujtuar aktivizmin dhe përpjekjet që RrGK ka bërë për më shumë se dy dekada në emër të kërkimit të barazisë, lirisë dhe vlerave demokratike, RrGK konsideron se ndarja e këtij çmimi për Handke është fyerje e madhe për secilën viktimë të shovinizmit serb. Kritika ndaj këtij vendimi të Akademisë Suedeze merr fuqi edhe më të madhe kur kujtojmë skandalin me abuzime seksuale që ndodhi vitin e kaluar në këtë institucion, si dhe kur përmendim se në 120 vite punë laureate të çmimit Nobel janë vetëm 15 gra”, bëhet e ditur në reagim.

Në shenjë solidariteti me të gjithë botën që lufton për liri dhe barazi si vlera thelbësore demokratike, RrGK ka kërkuar tërheqjen e këtij vendimi të Akademisë Suedeze.

Dje në Akademinë Suedeze në Stokholm janë ndarë çmimet “Nobel” për letërsi. Shkrimtarja polake Olga Tokarczuk dhe autori austriak, Peter Handke kanë fituar dy çmimet “Nobel” në letërsi për vitin 2018 dhe 2019.