Prodhimet bimore kanë rënie në çmim

Prodhimet bimore kanë rënie në çmim

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi“ për tremujorin e tretë.

Sipas ASK-së në tremujorin e tretë të vitit 2019, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 3.95%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018. Kurse, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rënie për (- 2.15%). Ndërkaq, Indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rritje për 0.28%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018

“Prodhimet, që krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe ato blegtorale. Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë. Në prodhimet blegtorale, çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro dhe njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë.”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Po ashtu bëhet e ditur se ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë. Grumbullimi i të dhënave është bërë në treg, ferma dhe vende të tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen./21Media