Rriten për 50 përqind ankesat e konsumatorëve

Taksa prej 10 përqind ndikon në rritjen e çmimeve të produkteve

Sherif Fejzullahu, kryetar i Këshillit për mbrojtje të konsumatorit në kuadër të Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, në një konferencë për media ka thënë se janë shtuar ankesat e konsumatorëve përreth 50 përqind.

Ai ka thënë se vendimi për taksë prej 10 përqind do të ndikojë në rritjen e çmimeve të produkteve.

Fejzullahu duke folur për taksën ndaj produkteve të Serbisë, ka kërkuar që të bëhet një zgjidhje edhe për interkonjeksionin Kosovë-Shqipëri, pasi sipas tij, Serbia po e pengon Kosovën që të shfrytëzohet ky projekt energjetik.

Ai shtoi se institucionet e Kosovës nuk duhet ta heshtin këtë bllokadë që po e bën Serbia.

Ndërsa, anëtari i këtij Këshilli, Selatin Kaçaniku ka thënë se vendimi për taksë prej 10 për qind do të ndikojë në rritjen e çmimeve të produkteve.

“Duke marrë parasysh rastin e TVSh-së, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, kur qeveria e Kosovës ndaj disa produkteve e hoqi 16 përqindëshin, ndaj disave i hoqi 8 për qind,  ndërsa ne si qytetarë konsumatorë nuk e kemi shijuar uljen ose heqjen e TVSh-së nga shumë produkte. Në të gjitha produktet e liruara nga TVSH-ja ne mbetëm pa ato 8 ose 16 për qind, sepse i morën prodhuesit. Pra, nga kjo përvojë nëse nisemi, ne kemi frik se do të kemi rritje të çmimeve shtesë”, tha Kaçaniku.

Ndryshe, Këshilli ka kërkuar që të gjitha komunat e Kosovës të hapin Zyra për Konsumatorë. Vetëm Ferizaj, Gjilani, Vitia kanë hapur këto Zyra, derisa pritet që diku 34 komuna t’i hapin Zyrat për Konsumatorë.

Qeveria e Kosovës para një jave ka marrë vendim për vendosjen e masave në importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Ky propozim erdhi nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala. Masa u vendos për qumështin dhe produktet e qumështit, uji, biskotat, materialet ndërtimore dhe lëngjet e prodhuara në këto dy vende. Por, përjashtohen produktet e brendeve ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, dy shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Back to top button