Nga Shoqata e Botuesve të Kosovës u bë ndarja e çmimeve të panairit

Nga Shoqata e Botuesve të Kosovës u bë ndarja e çmimeve të panairit

Interesim i madh për Panairin e Librit të 21-të është parë në ditën e katërt të këtij aktiviteti që po zhvillohet në Prishtinë. Përkundër rritjes së temperaturave, kjo ditë vikendi u pa si mundësi për qytetarët për të blerë libra. Ata organizimin e tillë e shohin si të domosdoshëm për një shoqëri, kurse çmimet e titujve të librave i konsiderojnë të arsyeshme.

Në kuadër të kësaj dite u ndan dhe çmimet për më të mirët e panairit nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, ku shkrimtari i vitit shqiptar u shpall Fatos Kongoli për veprën,“Gënjeshtarë të vegjël”.

Qytetari Besfort Matoshi për Kp u shpreh se çmimet e librave janë më të arsyeshme këtë vit për dallim nga vitet e kaluara, ndërsa, tregoi dhe fokusin e tij te librat që do t’i blejë.

“Çmimet janë të arsyeshme këtë vit, unë jam fokusuar tek kompletet të Jusuf Buxhovi…shumë i nevojshëm sepse dhe çmimet janë pak më të arsyeshme se dhe ka interesim tek njerëzit që të pasurojnë bibliotekën e tyre”, tha ai.

Edhe Sadri Sejdiu ka të njëjtin mendim. “Rregullisht e përcjelli panairin, ka mjaft lexues dhe çmimet janë reale”, shtoi ai.

Kurse më kritik ndaj çmimeve u shpreh Safedin Munishi, i cili tha se përkundër se këtë vit panairi ka qenë më i përgatitur dhe me më shumë tituj të librave, çmimet nuk janë si viteve të kaluara.

Sipas tij, ulja prej 20% nuk është asgjë. “Këtë vit ka qenë shumë më i përgatitur dhe me më shumë tituj të librave. Çmimet nuk janë si viteve të mëhershme, janë më të shtrenjta. Është një 20 përqindje cili nuk është asgjë”, deklaroi ai.

Nga ana e shtëpive botuese u shprehen të kënaqur me interesimin e qytetarëve. Përfaqësuesi i shtëpisë botuese, “Buzuku”, Avdullah Zenelaj tha se pritshmëria ka qenë më e vogël, mirëpo tash ka interesim të madh.

“Pritshmëria ka qenë krejt ndryshe, vizitat janë shumë të mëdha. E pabesueshme për interesin kaq të madh, si duket ka ndikuar dhe numri i titujve, shumësia e botuesve dhe ambientet që kanë një formë soleme. Zbritja minimale është 20 përqind, ka dhe raste për më shumë, varet nga biblioteka”, u shpreh ai.

Në kuadër të ditës së katërt të panairit është bërë dhe ndarja e çmimeve të panairit nga Shoqata e Botuesve të Kosovës. Me këtë rast, shkrimtari i vitit shqiptar në këtë panair u shpall Fatos Kongoli për veprën, “Gënjeshtarë të vegjël”. Kurse  për shkrimtarin e vitit të huaj, çmimi iu nda Jacques Baudouin për veprën “Lindja e Demokracisë”.

Kryetari i Jurisë për ndarjen e këtyre  çmimeve, Behar Xhoka u shpreh se në mesin e shumë librave që kanë lexuar dhe veçuar është vlera e tyre, ajo që i udhëhoqi për t’i zgjedhur më të mirët.

“Jam shumë i sigurt për një gjë, në mesin e shumë librave ne lexuan, në mesin e librave që  veçuam padyshim është vlera ajo që na udhëhoqi. Përpjekja për të veçuar ato tekste që mund t’i sugjerohen lexuesit”, tha ai.

Në mesin e shumë çmimeve të tjera që u ndan, çmimin e letërsisë për fëmijë e fitoi autorja, Anila Kruti me veprën ”Flutura e Majit”. Stenda më e vizituar në këtë panair ishte “Botart”. Për publicistikën çmim mori Mirela Oktrova me veprën “55 ditë”. Kurse, në kuadër të poezisë dhe prozës më të mirë, çmimet iu ndanë Ismail Sylës dhe Kim Mehmetit për prozë.