Rritet numri i fëmijëve në çerdhet e Prishtinës

Do të ndërtohen edhe pesë çerdhe

Zyrtarë komunalë të Prishtinës kanë thënë se ka shënuar rritje numri i fëmijëve që po frekuentojnë çerdhet me bazë në komunitet, ndërkohë që është duke u punuar që të hapen edhe pesë çerdhe të tjera.

Arbërie Nagavci nga Drejtoria për Arsim në Komunën e Prishtinës, tha në konferencën e mbajtur me temë “Çerdhet me bazë në komunitet”, se janë realizuar objektivat dhe pritshmëritë për “Çerdhet me bazë në komunitet”. Ajo theksoi faktin se me aplikimin e këtij modeli është rritur numri i fëmijëve që ndjekin shkollimin parafillorë.

“Sivjet në Prishtinë në çerdhet publike kemi të përfshirë 1 mijë e 616 fëmijë, në çerdhet me bazë në komunitet kemi 519 fëmijë që tregon se është rritur për 1/3 numri përfshirjes së fëmijëve në çerdhe dhe në edukimin parashkollor. Një standard i veçantë parasheh që 95% e fëmijëve të moshës së hershme duhet të përfshihen në edukimin parafillor. Statistikat e Ministrisë së Arsimit tregojnë që në vitin 2014-2015 përfshirja e fëmijëve në këtë nivel shkollimi ka qenë vetëm 15.7%”, tha Arbërie Nagavci.

Ndërsa, Fitore Pacolli, shefe e Kabinetit të Kryetarit në Komunën e Prishtinës, theksoi se janë 5 çerdhe që janë duke funksionuar shumë mirë dhe se është duke u punuar që të hapen edhe 5 të tjera.

“Ne si Komunë e Prishtinës kemi filluar procedurat për hapjen e pesë çerdheve të tjera të po këtij modeli. Pra, e kemi çerdhen në lagjen “Tophane”, që është në renovim, çerdhen në lagjen Kodra e Trimave, që është në ndërtim e sipër, ka përfunduar ndërtimi i vrazhdë, në fshatin Bardhosh, fshatin e dytë që do të bëhet me çerdhe kemi një objekt që është jashtë funksionit ku në këtë mënyrë ne kemi vendosur që ta shndërrojmë këtë objekt në çerdhe. Dhe, së fundi, po i shohim mundësitë të hapim një çerdhe në “Kolovicë”, ku nuk ka asnjë çerdhe”, u shpreh Pacolli.

Në takim ishin prezent edhe përfaqësues të çerdheve të themeluara dhe njëherësh treguan për të arriturat dhe sfidat që kanë kaluar gjatë funksionalizimit të çerdheve.
Alban Nimeti, kryetar i Këshillit të Prindërve të Kopshtit “Shkronjat” në “Arbëri”, tha se qysh në muajt e parë të themelimit të kopshtit kanë arritur të vetëfinancohen.

Ndryshe, në takimin e sotëm u tha se pesë çerdhet që janë në proces e sipër pritet të funksionalizohen deri në fund të këtij viti.

Back to top button