Rritet shkalla e papunësisë në Kosovë

Papunësia më e theksuar është te femrat

Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), prezantuar në “Anketa e Fuqisë Punëtore, tremujori i tretë 2018”, del se shkalla e papunësisë në vendin tonë është 30.7 për qind ose 0.2 për qind më e lartë se në vitin e kaluar.

Papunësia më e theksuar është te femrat me 34.8%, krahasuar me meshkujt, 29.5%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grup-moshat 15-24 vjeçare me 55.0%.

Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 42 për qind.

Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e tretë (TM3) 2018 ishte 29.1%.

Punësimi me i lartë ishte te meshkujt (45.6%), ndërsa punësimi te femrat ishte 12.6%. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 54.5 % të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit, me 44.1%.

“Sipas rezultateve të AFP-së, në TM3 2018, shkalla e papunësisë është 30.7%. Fuqia joaktive është mjaft e lartë me 58.0 %, me fokus të veçantë te femrat me 80.7 %, krahasuar me meshkujt, 35.3%”, thuhet në komunikatën e ASK-së.

Ndërsa, sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë tregtia me 16.8%, ndërtimtaria me 12.3%, arsimi me 11.5%, si dhe prodhimi me 10.5%. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.

Sa u përket të punësuarve me kontrata, del se 28.4% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 71.6% kanë kontratë të përkohshme.

Back to top button