Ulja e mirëqenies, shkak i rritjes së kredive

Rritja e interesit bankar dobëson ekonominë dhe investimet
Banka Qendrore e Kosovës ka bërë të ditur se vlera e kredive të reja ka arritur në 4.1 miliardë Euro, nga të cilat mbi 1.5 miliardë janë për ekonomitë familjare. Rritja e vlerës së kredisë vlerësohet të jetë një tregues i shkallës së varfërisë në Kosovë dhe mungesën e përkujdesjes shetëtrore për ekonomitë familjare.
Vlera e kredive të marra nga qytetarët e Kosovës deri në gusht të këtij viti është 4.1 miliardë euro. Bankat komerciale në vend i përcaktojnë individualisht normat e interesit, bazuar në politikat e tyre afariste, të cilat rezultojnë të jenë më të lartat në rajon dhe Evropë. Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, kjo vjen si pasojë e mungesës së ligjit për Sistemin e Pagesave, përmes të cilit atyre do t’u mundësohet qe të përcaktojnë tarifat që aplikohen nga bankat komerciale, por që ky ligj ende nuk është miratuar nga Qeveria e Kosovës.
“Sipas të dhënave tona që i kemi deri ne gusht të këtij viti vlera e kredive të reja të lëshuara nga bankat ose sektori bankar në Kosovë ka arritur në 4.1 miliardë euro. 1.5 miliardë është për ekonomitë familjare dhe 2.5 miliardë është për korporatat jo financiare”, thotë Kushtrim Ahmeti, Zëdhënës i BQK-së.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit Agim Shahini, vlerëson se normat e larta të interesit të cilat pritet të rriten ende do të ndikojnë në uljen e qarkullimit të parasë në publik.
“Shifrat e cekura nga BQK-ja tregojnë se sa qytetarët e Kosovës janë futur në borxhe tek bankat komerciale të cilat janë rreth njëmbëdhjetë të ndryshme, e që mesatarisht interesi bankar është diku rreth gjashtë për qind, që është më i larti në Ballkan dhe Evropë. Kjo tregon se varfëria në Kosovë është e thellë, tregon se istitucionet e Kosovës nuk po i mbështetin ekonomitë familjare, qytetarët dhe të vetmen shpresë që e kanë qytetarët për të dalë nga kriza është bankat komerciale të cilat janë tepër të shtrejta”.
Edhe njohësi i ekonomisë Mustafë Kadriaj, thotë se ajo që po i nxitë qytetarët e Kosovës që të kërkojnë kredi nga bankat komerciale është ulja e nivelit dhe e mirëqenies ekonomike.
“Zakonisht në Kosovë bankat komerciale janë arsyetu që nuk janë një vend stabil dhe kanë rritur normat e interesit, por kur flasim tani për tani Kosova vlerësoi se është një shtet stabil funksionon edhe Banka Qëndrore e cila i menaxhon bankat komerciale. Për shkak të mospolitikave thjeshtë nga ana e qeverisë politikave ekonomike bizneset që në këtë rast e shfrytëzojnë këtë momentum që t’i rrisin normat e interesit. Përderisa ti nuk bënë lehtësime tek bankat komerciale ata e kanë të vetmen zgjidhje që t’i rrisin normat e interesit dhe në fakt kush pëson, pëson ekonomia familjare dhe biznesi në vend”.
Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se norma mesatare e interesit në kredi të reja për periudhën e gushtit ishte, 5.99 për qind./21Media

Back to top button