Mustafa flet rreth raportit të Bankës Botërore

Mustafa flet rreth raportit të Bankës Botërore

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka komentuar raportin e Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë për zhvillimin ekonomik në vend dhe rajon.

Ai e ka cilësuar lajm të mirë vlerësimin e tyre për rritjen e zhvillimit ekonomik, por lajm të keq rritjen e papunësisë.

“Është lajm i mirë se Kosova po vazhdon të kryesojë me rritjen ekonomike krahasuar me vendet në regjion. Por është lajm i keq se në vitin 2018 kemi humbur 17 mijë vende të punës dhe se kjo rritje ekonomike, e bazuar në investime publike, nuk po gjeneron vende të reja të punës. Përkundrazi!
Në Kosovë, në dy vitet e fundit, po rritet shkalla e papunësisë dhe po zvogëlohen investimet e huaja direkte.”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Ai për ketë ka fajësuar institucionet e vendit dhe koalicionin qeverisës.

“Derisa institucionet e Kosovës janë të preokupuara me politika populliste, në stilin “kush është më i forti” dhe “kush kujtë”; kush po ndërton më shumë autostrada afër katundit dhe regjionit të vet e kush po shet më shumë tenderë, nuk ka qasje serioze dhe interesim për problemin jetik të të rinjëve. Papunësinë dhe punësimin e tyre.

Koalicioni qeverisës as nuk po di as nuk po don!”, ka përfunduar Mustafa.

Ndryshe Drejtori i Bankës Botërore në Prishtinë, Marco Mantovanelli, ka deklaruar sot se ka rritje ekonomike pozitive në Kosovë me 4.2%, ndërsa gjendja do të vazhdojë me të jetë me qëndrueshmëri stabile.

Megjithatë sipas raportit të BB-së, mbi 17 mijë vende të punës kanë humbur në vitin 2018, ndërsa shkalla e papunësisë është rritur gjatë vitit të kaluar./21Media