Rritja e pagave për sektorin publik dëmton rritjen e punësimit dhe sektorin privat

Kosova ka gjithsej 330 mijë të punësuar

Në vend që Qeveria e Kosovës të investojë në rritjen e punësimit që është mbi 50% për moshat 15 deri në 24 vjeç, ky institucion po vazhdon që të rrisë buxhetin për 80 mijë të punësuar në sektorin publik, me çka e rritë edhe më shumë ndarjen në mes të sektorit publik dhe privat që i ka mbi 250 mijë të punësuar.

Në një analizë të përafërt, sipas entit të statistikave të Kosovës  dhe Maqedonisë, Kosova ka gjithsej 330 mijë të punësuar, ndërsa Maqedonia 730.000 të punësuar.

Në tabelën e mëposhtme mund t’i shihni dallimet mes Kosovës dhe Maqedonisë. Kosova dhe Maqedonia kanë numër të  përafërt të popullsisë, në 2 rreth milionë banorë.

 

Gjatë ditës së djeshme Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin për rritjen e pagave për të gjitha kategoritë e të punësuarve që marrin paga nga buxheti i Kosovës, duke e rritur buxhetin edhe për 24 milionë euro më shumë se në 2017-të.

Sipas këtij vendimi pagat rriten 4 përqind mbi pagën bazë, duke filluar nga 1 janari i vitit 2018, por që kjo rritje nga drejtues të odave në Kosovë po shihet me skepticizëm, ku disa prej tyre,  më të udhës e shohin krijimin e vendeve të reja të punës,  sesa rritjen e pagave për sektorin publik.

Buxhetit të Kosovës për këtë vit do t’i kushtojnë 598 milionë euro  paga dhe mëditje, gjë e cila është bërë e ditur edhe nga  Ministri i Financave, Bedri Hamza.

“Për kategorinë paga dhe mëditje për vitin 2018 janë paraparë të jenë 589 milionë euro, një rritje prej 4.3 përqind në raport me shpenzimet e parashikuara për paga dhe mëditje në buxhetin për vitin 2017. Ky buxhet për paga dhe mëditje parasheh rritjen e pagave për të gjithë të punësuarit në sektorin publik nga 1 janari i vitit 2018, pagat për rritje të punësimit në sektor strategjik të vendit dhe punësimi për institucione të reja”, ka thënë ai.

E Instituti GAP përmes një analize që i ka bërë buxhetit të Kosovës për vitin 2018, ka theksuar se ky buxhet për paga dhe mëditje ka një rritje prej 4.1 përqind krahasuar me vitin e kaluar.

“Në projektligjin e buxhetit 2018 vërehet një rritje në shumën e ndarë për kategorinë e pagave dhe mëditjeve prej 4.1% (nga 566 në 589.4 milionë euro), që është në vijë me nenin 22/C të LFPP-së i cili kufizon rritjen e pagave në sektorin publik bazuar në rritjen nominale të Bruto Produktit Vendor (BPV) të vitit 2016”, thuhet në raport.

Por, vërejtje ky institut ka sa i përket alokimit të buxhetit për mbulimin e kostos së punëtorëve të rinj potencial.

“Nuk është alokuar buxhet për mbulimin e kostos së punëtorëve të rinj potencial edhe pse Ministria e Financave ka rritur tavanin për numrin e punëtorëve në shumë institucione në këtë projektligj, ku numri total është rritur për mbi 1,000 punonjës. Akomodimi i punonjësve të rinj potencial mund të behët vetëm nëse ndodh rritja e pagave bazuar në performancën e shërbyesve civil dhe jo rritje e pagave për tërë shërbyesit civil në sektorin publik”, thuhet tutje në raport.

Por, këshilltari i Kryeministrit të Kosovës, Haki Shatri, për kp  ka thënë se të gjitha çështjet janë paraparë në buxhetin e Kosovës.

“Rritja e pagave sipas një rregulle që jemi dakorduar me FMN-në, çdo rritje e GDP-së, sa rritet GDP brenda vitit aq lejohet rritja e vëllimit të parave që ndahen për paga. Është paraparë në buxhet dhe është e aprovuar, janë të siguruara paratë. Buxheti për vitin 2018 e ka të paraparë edhe këtë rritje prej 4 përqind”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë se Kosova është shndërruar në një shoqëri të varur nga importi dhe se përveç importit të produkteve të ndryshme po importohet edhe një inflacion.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës më tepër do të duhej të orientohej në krijimin e vendeve të reja të punës sesa në rritjen e pagave për sektorin publik. Ndërsa, ka theksuar se rritja e pagave në sektorin publik e dëmton në masë të madhe sektorin privat.

Back to top button