Rrokullisen me veturë duke ikur nga policia

Dy të arrestuar

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Gjakovë të dyshuar për veprat e grabitjes, mbajtjes në pronësi kontroll ose posedim i paautorizuar i armës dhe mos zbatim i urdhrit të policit.

Arrestimi i tyre është bërë pasi që më datën 29.12.2019 rreth orës 11:33 në stacionin policor Istog një person ka raportuar se dy persona të panjohur e kanë sulmuar me sëpatë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupor dhe nën kërcënimin e sëpatës ia kanë marrë 110 euro dhe 10 franga, si dhe kanë grabitur veturën e tij ‘VW Tiguan”.

Dy të dyshuarit më pas kanë lidhur personin me një litar dhe nga shtëpia ia kanë marrë edhe një armë gjuetie të cilën e kishte me leje dhe pastaj me automjetin e rrëmbyer janë larguar në drejtim të panjohur.

Më datë 30.12.2019 rreth orës 22:25 në rrugën “Hysni Dobruna” në Gjakovë, është parë automjeti i rrëmbyer dhe policia është vënë në ndjekje të tij, pasi të dyshuarit nuk kanë përfillur urdhrat e personave zyrtarë për t’u ndalur dhe në ikje e sipër, nga shpejtësia e madhe që zhvillonin me automjetin e dyshuar, janë rrokullisur jashtë rrugës.

Në vendin e ngjarjes është gjetur një armë gjahu, një maskë dhe një thikë. Në lidhje me rastin janë njoftuar të gjitha njësitet relevante gjithashtu është njoftuar edhe prokurori kujdestar.

Në lidhje me këta persona është informuar edhe Policia e regjionit të Pejës, të cilët i kanë marrë dy të dyshuarit në lidhje me rastin e grabitjes që ka ndodhur me datë 29.12.2019 në Cerrcë -Istog. Rasti do të procedohet në prokurori.

Back to top button