Ministri Lekaj shpreson se magjistralja Kaçanik-Hani i Elezit do të lëshohet për qarkullim brenda këtij muaji

Ministri Lekaj shpreson se magjistralja Kaçanik-Hani i Elezit do të lëshohet për qarkullim brenda këtij muaji

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në mbledhje të Qeverisë, ka kërkuar nga ministri i Infrastrulturës Pal Lekaj, që t’i informojë për situatën me rrëshqitjen e dheut në magjistralen për Shkup, e cila është ndërprerë për qarkullim.

Lekaj  në përgjigje para kryeministrit dhe kolegëve të tij tha se shpreson se magjistralja Kacanik-Hani i Elezit do të lëshohet për qarkullim brenda këtij muaji.

“Segmenti rrugor Kaçanik- Han i Elezit kemi marrë vendim për  ndërprerë për siguri të qytetarëve. Sepse kemi pasur paralajmërime nga ekspertët që i kanë bërë matje, që do të ketë rrëshqitje masive të dheut.  Ne kemi marrë të gjitha veprimet me kohë. Kemi bërë shpuarjen  gjeologjike dhe në bazë të analizës, kemi ardhur në përfundim që të fillojë  sanimi, që është duke u punuar në dy ndërrime dhe shpresoj që brenda muajit,  do të hiqet e tërë sasia e dheut që  është e rrezikshme për të rrëshqitur dhe pastaj të bëhet e përdorueshme rruga”, tha Lekaj.

Në lidhje me këtë rrugë, Haradinaj kërkoi që të gjendet një zgjidhje afatgjate për të cilën tha se është bërë si “Ura e Rozafatit”.

“Ministër e di që tash verës ndoshta nuk bien shi më, e nuk rrëshqet dheu. Por si po hyjnë këto zonat e lagshta të shirave, prapë po rikthehet kjo gjendje. A mos ka ndonjë mundësi me bë diçka më të qëndrueshme, p.sh në këtë kohë sa jemi në këtë etapë, mbasi të hiqet dheu, me u pa dhe mundësia dhe prej ekspertëve, me u siguru që të mos na rrëshqet dheu çdo vit, se kjo u bë si Rozafa”, tha Haradinaj.

Por, Lekaj e siguroi kryeministrin, që do ta gjejnë një zgjidhje të përhershme për këtë rrugë. “Sa i përket rrëshqitjeve të dheut mendoj se nuk janë bërë matjet e duhura në asnjë kohë dhe nuk është marrë veprim i duhur. Prandaj ne kemi marrë veprime dhe do të sanohet gjendja e përhershme”, tha ai.

Haradinaj po ashtu ka kërkuar nga ministrat që të marrin veprime  secili në resorin e vet, pasiqë Qeveria sipas tij është në përgatitje të një vendimi për një Zonë të lirë Ekonomike Amerikane.