Poezi nga Fatmir Muja

Poezi nga Fatmir Muja

A të ka rastisur ndonjëherë ta takosh ndonjërin nga ata
që e njeh kokrrën e grurit pa e shijuar miellin,
që duke i thelluar rrënjët në Tokë, bëhet mik me Qiellin,
që nuk harron se në farë ruhen njohuritë e gjithë pemës,
që s’i druhet vdekjes së trupit por veç vdekjes së zemrës,
që nuk të jep fjalë e mendime por të ofron mënyra,
që nga buka hallall, dritë i është bërë fytyra
Nëse je frikacak, me një të tillë mund të jetosh por s’do ta takosh
Aty ku nuk guxon të ndizesh, mos prit kurrë të ndriçosh
Kjo rrugë është për guximtarët që shthurin çdo rrjetë mashtrimi
Shërbyes në gjendje gëzimi, flijues në gjendje pikëllimi
Nuk mund ta arrish cakun duke mos e bërë rrugën,
Nuk mund ta ngopësh barkun duke pikturuar bukën.

Epo, jeta është kjo:
“Duhet ta kesh duruar atë që e urren për ta marrë atë që do
Por nëse ndokush të urren pa arsye, mësoje të vërtetën:
Ai ka gjetur diçka tek ti që fort e dëshiron për veten
Një zemër që ka kthyer mbrapsht dashurinë, digjet nga urrejtja
Dënimi më i madh është të harrosh se dashuria është më e fortë se vdekja
Vdekja mund të na i marrë ata që i duam në këtë botë
Por dashurinë që ndjejmë për ta nga zemra s’na e heq dot
Lindja është dëshmitare se diku kemi për të shkuar
Vdekja na shpalos ato që kurrë s’i kemi jetuar
Edhe pse vijmë si qenie të vetme, hutohemi me pamjen e dyshit
Por s’ka dashuri tjetër veç Dashurisë së Njëshit.”

Ah sa e bukur do të bëhej bota sikur veten ta njihje
Po të mos ishin të rëndësishme ëndrrat tua, ti fare s’do t’i shihje
Koha i ndryshon njerëzit por ka njerëz që ndryshojnë kohën
Ka zemra që gjejnë kohë për të gjithë e veç me veten s’takohen
Por janë gjëra të ndjeshme këto, prandaj vështirë kuptohen
Ca gjëra që nuk vijnë në kohën e duhur, do ta humbasin vlerën
Vendos në ujin e gjallë një lule të vdekur, por nuk do t’ia ndjesh erën
Nëse brenda zemrës ke dimrin, jashtë nuk do ta shohësh pranverën
Do të jetosh në periferinë e jetës edhe pse në qendër ke lindur
Je i thellë, por për t’u mbytur në cektësi, shumica të ka bindur
Të gjitha germat e shkruara janë përvoja të dikujt tjetër
Lexoje lexuesin e jo veç ato që janë shkruar në letër
Të jetosh do të thotë të plakesh e kurrë të mos bëhesh i vjetër.

Çastet e lumtura vijnë nga moskujtimi i të shkuarës
Mos e bëj të ardhmen tënde sot rob të së kaluarës
Mos prano që zemra nga lavdërimet e të tjerëve të gëzohet
As nga qortimet dhe përqeshjet e të tjerëve të trishtohet
Trishtimi është i bukur veç kur vjen nga brendia jote
Ai të zgjon nga gjumi dhe përhumbja e kësaj bote
Ne lindim me duar të mbledhura e vdesim me pëllëmbë të shtrira
Ta zgjosh atë që nuk fle është nga gjërat më të vështira
Gëzimet mund të të lartësojnë por i thellë bëhesh duke qene zemërvrarë
Mund t’i harrosh ata me të cilët ke qeshur, por jo edhe ata me të cilët ke qarë
Është koha të ndahemi, nëse je një guximtar, të uroj rrugë të mbarë!/21Media