Ruçi uron Konjufcën

E fton për vizitë në Shqipëri

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi e ka uruar Glauk Konjufcën pas zgjedhjes si kryetar i Kuvendit të Kosovës. Ruçi u shpreh se ka besim të plotë ndaj tij.

“Kam besim të plotë se nën drejtimin tuaj të urtë, Kuvendi i Kosovës do të përballojë e zgjidhë me sukses sfidat e vështira të zhvillimit, përparimit dhe integrimit të Republikës së Kosovës si edhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve të saj. Në vlerësimin e tij për kreun e ri të legjislativit kosovar, Ruçi shënon se “Përvoja juaj e gjatë si deputet, kompetenca dhe përkushtimi me të cilin kini shërbyer si zëvendëskryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, angazhimi i gjatë ne media si edhe në mbrojtjen dhe zhvillimin e të drejtave të njeriut janë garanci se ju do t’i përmbushni me sukses të gjitha objektivat për rritjen e kontributit të Kuvendit si dega legjislative e qeverisjes në konsolidimin e institucioneve demokratike, mirëqeverisjen, integrimet euroatlantike, shtimin e njohjeve ndërkombëtare dhe zhvillimin, stabilitetin, fqinjësinë dhe paqen në rajon”, ka thënë Ruçi.

Kryekuvendari i Shqipërisë ka shprehur gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar.

“Gjej rastin të rikonfirmoj vullnetin dhe gatishmërinë e Kuvendit të Shqipërisë si edhe timin personal se, ashtu si deri më sot, bashkëpunimi midis Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës do të rritet e zgjerohet, si një nga aspektet më të rëndësishme të bashkëpunimit tonë dypalësh”, ka deklaruar ai.

Për të diskutuar nga afër çështje konkrete të bashkëpunimin e ardhshëm mes dy vendeve Ruçi e ka ftuar Konjufcën për një vizitë zyrtare në Kuvendin e Shqipërisë, në një kohë sa më të afërt.

Glauk Konjufca nga Vetëvendosje u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës. Ai ka marrë 75 vota për, 29 kundër dhe 6 abstenime. Konjufca u zgjodh pa një marrëveshje paraprake me partnerin potencial qeverisës, LDK-në, por që Lideri i LDK-së, Isa Mustafa dje u shpreh se do ta votojnë propozimin e Vetëvendosjes për Kryetar të Kuvendit për të mos bllokuar formimin e institucioneve.

Back to top button