Debat për ikjen e të rinjve

Debat për ikjen e të rinjve

Në Kuvendin e Kosovës po mbahet seanca e jashtëzakonshme lidhur me migrimin e kosovarëve. Me kërkesë të deputetëve, në Kuvendin e Kosovës po zhvillohet debat parlamentar lidhur me zbrazjen e vendit nga të rinjtë, si rrezik që po i kanoset Kosovës që nga paslufta.

Fidan Rekaliu, në emër të propozuesve ka kërkuar nga grupet parlamentare të prezantojnë bashkërisht një rezolutë unifikuese për mbrojtjen dhe avancimin e të rinjve të Kosovës.

“Është i dhimbshëm fakti që Kosovën po e braktisin edhe të rinjtë e shkolluar dhe të profesionalizuar, të cilëve vendi i  tyre nuk ua dha as mundësinë më të vogël për tu dëshmuar. Për më keq, nga vendi po largohen edhe njerëz të punësuar, bile edhe në institucione publike, po largohen mjek e inxhinier, jo pse nuk e kanë të siguruar ekzistencën materiale, ata po ikin sepse institucionet e vendit të tyre nuk garantojnë as arsim cilësor as mbrojtje të duhur shëndetësore, as perspektivë për fëmijët e tyre”, ka thënë ai.

Rekaliu më tej ka deklaruar se bazuar në publikimet e fundit, del se qytetarët e Kosovës prinë sa i përket dëshirës për t’u larguar nga vendi.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova në këtë seancë ka thënë se duhet të jenë unik për çështjen për të cilën po debatohet sot në Kuvendin e Kosovës. Në seancën e jashtëzakonshme, Rugova ka thënë se të gjithë janë përgjegjës për degradimin e vendit.

“Pa dashur të adresoj kritika, pa dashur të bëjë më gisht në adresa institucionale, sepse të gjithë si klasë politike, përfshi edhe mua, kemi hise në këtë degradim moral, politik, institucional, kulturor, socio kulturor, akademik, prandaj zotëri kryetar i Kuvendit, fatkeqësisht këtu përveç ministrit të mjedisit, nuk është as kryeministri as asnjë pjesëtar i qeverisë që kanë përgjegjësi direkte. Ku është ministri i kulturës dhe arsimit që ka një peshë të jashtëzakonshme për temën që sot po e diskutojmë, por nuk dua ta ashpërsoj gjuhën, duhet të unifikohemi”, ka thënë ai.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se kjo seancë është thirrur papritur dhe se deputetët mund të mos jenë të përgatitur për të debatuar një çështje të tillë. Sipas tij, tema të tilla sikur kjo e migrimit, duhet të trajtohen më seriozisht.

“Është kjo seanca e 13 e jashtëzakonshme që thirret për tre muaj, në tre muajt e fundit kjo është seanca e 13 e jashtëzakonshme. Nëse dikush nuk është i njoftuar me gjendjen dhe situatën në Kosovë, dhe nëse këtë fakt ia themi që parlamenti i Kosovës i ka thirr 13 seanca të jashtëzakonshme për më pak se 100 ditë, kur kihet parasysh që e kemi filluar sesionin në gjysmën e dytë të janarit, i bie që ose jemi në gjendje lufte, në njëfarë konflikti të afërt, ose diçka e jashtëzakonshme po ndodh në vendin tonë”, ka thënë

Krasniqi ka thënë se nuk ka qenë mënyra e duhur të vendoset seanca me një shpejtësi kaq të madhe, për një temë kaq të rëndësishme.

Ndërsa, seanca plenare që ishte e paraparë të mbahej sot, është shtyerë për të hënën (më 15 prill), në orën 10:00.