Rukiqi: Sundimi i ligjit, “thembra e Akilit” për zhvillimin e vendit

Oda Ekonomike e Kosovës nuk do të involvohet në asnjë aktivitet zgjedhor

Ekonomia jo formale, energjia elektrike, jo- stabiliteti ekonomik, mos funksionimi i gjykatave dhe problemet tjera të lidhura me zbatimin e ligjit, korrupsioni, janë disa nga barrierat e të bërit biznes në pesë vjetët e fundit në Kosovë, për të cilat shumë pak është shënuar progres, pavarësisht premtimeve të përfaqësuesve politikë. Kështu tha sot kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi në konferencën me temën “Sektori privat dhe zgjedhjet”. Sipas tij, OEK nuk do të involvohet në asnjë aktivitet zgjedhor gjatë këtyre ditëve.

“Oda Ekonomike e Kosovës nuk do të involvohet në asnjë aktivitet zgjedhor. Nuk do të nënshkruajë asnjë memorandum apo marrëveshje, e cila shpesh herë di t’i ofrohet partive politike në momentet e fundit apo në momentet kulminante të fushatës. Dhe normalisht nuk do të angazhohemi në asnjë aktivitet, të çfarëdo lloj kandidati, i cili kandidon për zgjedhje. Ne do t’i ruajmë komunikimet tona me ndërmarrjet tona, për të adresuar çështje që mund të adresohen në nivelin ekzekutiv apo në kapacitetin e limituar vendimmarrës që kanë institucionet tona tash, apo në institucionet tjera, përfshirë doganat, ATK-në, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës dhe të tjera që janë të rëndësishme në zhvillimin ekonomi”, tha Rukiqi.

Sipas Rukiqit, ekzistojnë një sërë barrierash të të bërit biznes në Kosovë, në pesë vjetët e fundit. Ai tha se Kosova ka pasur rritje ekonomike, por si e tillë nuk ka qenë e qëndrueshme.

Një nga barrierat, ai përmendi ekonominë jo formale, energjinë elektrike dhe mos stabiliteti ekonomik.

“Gjykatat e dimë se qysh funksionojnë, zbatimi i ligjit në përgjithësi që pastaj lidhet edhe me barrierën e korrupsionit. Pjesa e sundimit të ligjit mbetet ‘thembra e Akilit’ për zhvillimin e vendit dhe progresin e vendit. Ne besojmë që një gjykatë komerciale, sidomos për rastet komerciale dhe rasteve biznesore, mund të ndikojë në një komponentë të sundimit të ligjit që është ngadalësia e gjykatave”, tha Rukiqi.

Rukiqi konsideron se në të gjitha fushatat zgjedhore po përmendet luftimi i korrupsionit, por që nuk është vërejtur progres. Sipas tij, kjo më shumë po manifestohet me akuza dhe kundërakuza ndaj partive politike, por jo edhe me platformë të qartë për luftimin e korrupsionit, që në masë të madhe është i lidhur me ekonominë.

Back to top button