Rusia: Statusi kandidat për Ukrainën, një “çështje e brendshme” e BE-së

Kremlini tha të premten se vendimi i Bashkimit Evropian për t’i dhënë statusin e kandidatit Ukrainës, aty ku Rusia po zhvillon një fushatë ushtarake është tërësisht “një çështje e brendshme” e unionit.
“Këto janë, natyrisht, çështje të brendshme evropiane,” u tha Peskov gazetarëve në një konferencë për mediat. “Për ne është thelbësore që të gjitha këto procese të mos sjellin më shumë probleme tek ne dhe në marrëdhëniet e vendeve të lartpërmendura me ne. Dhe se kjo nuk çon në një përkeqësim të mëtejshëm të marrëdhënieve tona me BE-në.”
Gjithashtu të premten, edhe ministri i jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov tha se perspektiva evropiane e Ukrainës dhe Moldavisë nuk përbënte “rrezik”për Rusinë, pasi sipas tij BE-ja nuk është një aleancë ushtarake.
Megjithatë, ai akuzoi BE-në dhe NATO-n se po mbledhin një “koalicion” për t’u përgatitur për një luftë me Rusinë, duke i krahasuar ato me aleancën naziste të Luftës së Dytë Botërore.
“Hitleri nën flamurin e tij kishte bashkuar një pjesë të madhe të vendeve evropiane për të luftuar kundër Bashkimit Sovjetik”, tha Lavrov gjatë një vizite pune në Azerbajxhan.
“Sot BE-ja dhe NATO po bashkojnë një koalicion të tillë për të bërë luftë kundër Rusisë.”
Marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin kanë qenë nivelin më të ulët që kur Presidenti Vladimir Putin dërgoi trupa në Ukrainë, duke shkaktuar edhe një breshëri sanksionesh të vendosura ndaj Moskës.
Udhëheqësit e BE-së i dhanë të enjten statusin e kandidatit Ukrainës dhe Moldavisë, por thanë se Gjeorgjia, e cila gjithashtu aplikoi për anëtarësim, mund ta marrë këtë status vetëm pasi të trajtohen çështjet e pazgjidhura.

Back to top button