Theresa May ultimatum Moskës

Theresa May ultimatum Moskës

Deri në fund të ditës, Moska duhet të shpjegojë se për ç’arsye është përdorur një gaz nervor i prodhimit rus për helmimin e ish-agjentit të dyfishtë, Sergei Skripal dhe vajzës së tij. Këtë ultimatum e bëri kryeministrja e Britanisë, Theresa May, e cila të hënën, gjatë fjalimit para Parlamentit, deklaroi se sipas të gjitha gjasave Moska është përgjegjëse për helmimin e Skripalit dhe vajzës së tij, Julia.

Nëse dëshmohet se Moska qëndron prapa sulmit kundër Skripalit, atëherë Londra do ta cilësoi këtë si përdorim të paligjshëm të forcës nga ana e Rusisë në territorin e Britanisë, theksoi May dhe qartësoi se vendi i saj është i gatshëm të ndërmerr masa më të ashpra kundër Rusisë. May tha se Skripal është helmuar me një gaz nervor, të prodhuar në Rusi, ndërsa ambasadori i Rusisë në Londër është ftuar në bisedë në lidhje me këtë çështje.

Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i besojnë në tërësi hetimeve dhe vlerësimit të Britanisë se Rusia sipas të gjitha gjasave është përgjegjëse për sulmin kundër Skripalit. Departamenti amerikan i shtetit njoftoi se sekretari i shtetit, Rex Tillerson, rreth kësaj çështje ka zhvilluar bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Britanisë, Boris Johnson. “Kemi besim të plotë në hetimet e Britanisë dhe vlerësimin se Rusia sipas të gjitha gjasave qëndron prapa sulmin me gaz nervor në qytetin Solsberi”, u theksua në komunikatën e Departamentit amerikan të shtetit.

Më tutje në komunikatë u tha se për një sulm të këtij lloji, pra për përpjekjen për të vrarë një person privat, në territorin e një shteti tjetër sovran, nuk ka kurrfarë arsyetimi dhe se Rusia sërish është përfshirë në aktivitete të tilla. Departamenti amerikan i shtetit nënvizoi se Rusia po vazhdon të jetë forcë e destabilizimit në botë, duke vepruar me injorim të hapur të sovranitetit të shteteve tjera dhe të jetës së qytetarëve të tyre./21Media