Rusia vë veto ndaj rezolutës për Sirinë

Rusia në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara sonte ka vendosur veto ndaj rezolutës së KB-ve për të dënuar sulmet me armë kimike në Siri

 

Kjo është hera e tetë që Rusia vë veto ndaj ndonjë rezolute të KS të OKB-së për Sirinë.

Në Nju Jork është mbajtur seanca e KS të OKB-së, në të cilën është votuar për rezolutën, me të cilën kërkohet nga qeveria siriane që të bashkëpunojë në hetimet për sulmin, për të cilin dyshohet se është kryer me armë kimike në provincën Idlib.

Ambasadorja e SHBA-ve në OKB, Nikky Haley tërhoqi vërejtjen se vendi i saj nuk do të lejojë që përdorimi i serishëm i armëve kimike të kalojë pa përgjigje,  raporton Reuters.

“Nuk do të shikojmë në anën tjerë. Po përcjellim me kujdes se çfarë po bën regjimi”, tha ajo.

Haley theksoi se Rusia po e izolon veten sa herë që aeroplanët e presidentit sirian Bashar al Assad po hedhin bomba mbi civilët. Ambasadori britanik në OKB, Metju Rajkroft tha se shkencëtarët britanikë kanë analizuar mostrat nga vendi ku ka ndodhur sulmi dhe kanë konkluduar se është përdorur gazi sarin ose substanca e ngjashme me sarinin.

Britania e Madhe për këtë arsye ndan vlerësimin e SHBA-ve se është shumë e besueshme se regjimi sirian është përgjegjës për sulmin me gaz helmues në Kan Sheikun, më 4 prill, ku humbën jetën të paktën 87 civilë, në mesin e të cilëve edhe 31 fëmijë.

Zëvendës ambasadori rus në OKB, Vladimir Safronkov e ka quajtur provokim sulmin amerikan në Siri, për të cilin tha se do të trimërojë ata që dëshirojnë zgjidhje ushtarake në konfliktin gjashtëvjeçar të Sirisë.

Safronkov tha se duhet hetuar sulmin eventual me armë kimike, ndërsa akuzoi ambasadorin britanik Metju Rajkroft, se është më shumë i interesuar për ndryshimin e regjimit në Siri se sa që në këtë vend të arrihet paqja./21Media

Back to top button